E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugova mbetet pa shkollë fillore

Pejë, 30 gusht - Pas mbylljes së shkollës fillore në Haxhaj të Rugovës dhe paraleleve të ndara në disa fshatra tjera, nga ky vit shkollor nuk do të ndihet zilja e shkollës as në shkollën fillore “Përparimi” në Drelaj të Rugovës për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
çelësin në dyert e kësaj shkolle e kanë vendosur kriteret që përcaktojnë raportin ndërmjet numrit të nxënësve përballë numrit të mësimdhënësve, të nxjerra nga Banka Botërore dhe Ministria e Arsimit.
“Ky kriter nxjerr nga funksioni një varg shkollash, kryesisht në zonat malore. Dhe kjo është arsyeja pse kjo shkollë nuk është futur në buxhet për vitin e ardhshëm shkollor”, sqaroi për KosovaLive, drejtori i Arsimit në Pejë, Ilir Kelmendi.
Në këtë shkollë të ngritur buzë Lumëbardhit dhe në paralelet e ndara të saj në gjashtë fshatra tjera përreth Drelajve, deri para luftës së fundit në Kosovë, mësimin e kanë vijuar mbi 450 nxënës.
Meqenëse pas luftës është shënuar lëvizje e madhe e popullatës nga Rugova në Pejë e më larg, në këtë shkollë kanë mbetur vetëm nëntë nxënës, që mësoheshin nga 15 arsimtarë.
Për nxënësit e kësaj shkolle rugovase, e cila ishte rinovuar vitin e kaluar nga KFOR-i italian, Drejtoria e Arsimit do të sigurojë transportin me automjet deri në njërën nga shkollat e qytetit, përfshirë këtu edhe një shujtë ditore.
“Asnjë nxënës i kësaj shkolle nuk do mbetet jashtë bankave, kurse për 15 punëtorët e shkollës do të shikohet mundësia e sistemimit të tyre në shkollat tjera të Pejës”, siguron Kelmendi.
Fatin e një krahine me 13 fshatra pa atmosferën zhurmuese të nxënësve në klasat e mësimit, nuk do ta kenë fshatrat Ozdrim dhe Gllogjan të Pejës, nxënësit e të cilave nga 1 shtatori do të ulën në bankat e shkollave të reja.
Në gjashtë shkolla të mesme dhe 28 fillore në Komunën e Pejës, mësimin në vitin e ri shkollor do ta ndjekin 23.770 nxënës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›