E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia, shkarkim maksimal në portat e Drinit

Nga Struga, që prej datës 19 janar, po vijnë drejt Shqipërisë sasi të mëdha uji

Portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit në Drinin e Zi, dita-ditës po e rrisin kapacitetin e shkarkimit, duke filluar që nga data 19 janar. Gati çdo ditë, po zgjerohet porta e shkarkimit, që nënkupton edhe rritjen e sasisë së ujit që shkarkohet e derdhet në Drinin e Zi, që aktualisht është mjaft i trazuar dhe shton sasinë e ujit në akumulimet në Glloboçicë, Shpile, e natyrisht edhe në akumulimet në liqenet akumulues të Fierzës, Komanit dhe të Vaut të Dejës në Shqipëri. Sa i përket nivelit të Liqenit të Ohrit dhe sasisë së ujërave që derdhen në liqen, nuk tejkalon kuotat maksimale, por është në një nivel mesatar me një tolerancë dhe variabilitet të theksuar. Sipas vlerësimeve, kuota aktuale në Liqenin e Ohrit sillet rreth 693.50 m lartësi mbidetare. Mirëpo, “frika” nga akumulimi më i madhi sasisë së ujit në Liqenin e Ohrit është nga reshjet e fundit dhe sjelljet nga ujëmbledhësit tjerë që derdhen në liqen. Pamjet e djeshme në portat e shkarkimit të Liqenit të Ohrit në lumin Drini i Zi, nuk janë vërejtur deri më tani, gjatë kësaj periudhe, e sidomos nga ditët kur zonat e Nënshkodrës u përfshinë nga përmbytjet e mëdha, që sipas ekspertëve, nuk kanë ndodhur me këto përmasa që nga viti 1962. Megjithatë, shkarkimi momental në Drinin e Zi është maksimal dhe mund të arrijë sasinë prej mbi 60 metra kub për sekondë.
“Durimi”
Gjatë kulmit të krizës në Shqipëri ku si pasojë e rritjes së nivelit të Drinit u shkarkuan ujërat e liqeneve në Kaskadën e Drinit duke përmbytur Nënshkodrën, autoritetet maqedonase kanë ruajtur “in extremis” portat e Drinit të Zi, duke mos i hapur pas kërkesës së Shqipërisë. Gjatë ditëve të përmbytjeve, niveli i Liqenit të Ohrit, arriti në 693.75 m, lartësi mbidetare, që nënkupton pikën maksimale të fryrjes, që është edhe normë e definuar nga marrëveshja bilaterale ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë. Pala shqiptare kërkoi nga pala maqedonase që të ngrihet niveli i Liqenit të Ohrit, duke zvogëluar ose ndalur krejtësisht shkarkimin në portat e Drinit të Zi, që të mos rëndohet situata.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›