Një shkencëtar që u bë fenomen letrar
Librat e rinj
Randy Pausch
Randy Pausch, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Carnegie Mellon gjithçka e shikonte si sfidë që duhej kapërcyer. Nuk ishte ndalur thuajse kurrë, nuk kishte parë asnjëherë pas. Thoshte shpesh se njerëzit e neglizhojnë kohën, që për të ishte gjëja më e çmuar. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke krijuar realitete virtuale, që më pas i propozoheshin botës mbarë. Kjo e bënte Pausch, një djalosh i karakterizuar impulsiv në rininë e tij, që gjithçka ta shihte në llogaritje të sakta shkencore. Puna e madhe, zbulimet teknologjike dhe as titujt shkencorë nuk i kishin siguruar një vend protagonisti. Fundja as ai vet nuk e kishte kërkuar. Shtatori i vitit 2006 do të shënonte kthesën e madhe. Diagnostikimi me kancer në pankreas do të përbënte “murin e tullave” që nuk e kapërceu dot. Vizita, spitale, kimioterapi,operacione...Kjo ishte beteja që ai nuk e kishte menduar. Në fund e pranoi se duhej të ndalej. E bëri këtë kur mjekët i thanë qartë se kishte vetëm 6 muaj jetë. Randy Pausch, në moshën 45-vjeçare, ishte baba i tre fëmijëve të vegjël. Dylani 6-vjeçar, Logani 4-vjeçar dhe Kloeja pothuajse 2 vjeçe do të rriteshin pa të. I tërhequr nga puna për t’iu përkushtuar familjes, Pausch, i ngërthyer nga emocionet që nuk i dinte se i kishte, mendon vetëm të rregullojë pak gjëra për të ardhmen e familjes së tij. E dinte se nuk do t’i shihte fëmijët të rriteshin, as të kalonin moshën e adoleshencës, as tekat e tyre dhe as rrugët që do të merrnin në jetë. Por donte që ata ta kujtonin. Në një kohë që sëmundja përparonte, Pausch vendos t’u flasë atyre. Sigurisht jo drejtpërdrejt. Ata nuk do të ishin në gjendje ta kuptonin. Mendoi se mendimet e tij të fundit duhet të lexoheshin atje, në auditorin ku ai ishte përpjekur të jepte dije për qindra studentë. Atëherë vendos për një leksion të fundit. Nuk do të fliste për shkencat kompjuterike, për realitete virtuale, nuk do të mbante moral për studentët, por nuk do të fliste as për vdekjen. Leksioni i tij ishte për jetën. Nuk do ta kishte menduar kurrë se fjalimi i tij, i mbajtur plot batuta, humor e optimizëm në 75 minuta, shumë shpejt do të tejkalonte muret e universitetit. I hedhur në internet do të përbënte ngjarjen e atyre ditëve dhe do të ishte më i lexuari. Randy Pausch, me sëmundjen dhe vdekjen që i qëndronte afër, ishte kthyer në një protagonist social dhe mediatik. Por më tepër u kthye në një moralist për jetën. Leksioni i tij i fundit u përkthye në titujt e gazetave si leksioni i jetës. Atij, ashtu siç u shpreh edhe vet më pas, pak i interesonte kjo gjë. “Unë u flas fëmijëve të mi”, tha ai në nisje të leksionit. “Do ta mbyll veten time në një shishe, të cilën një ditë fëmijët e mi do ta hapin”, tha ai. Foli për fëmijërinë e tij, për ëndrrat, për të vërtetën, për faljen, për këmbënguljen, për vlerën e kohës...Ky fjalim u kthye më pas në një libër autobiografik, që mbajti të njëjtin titull: “Leksioni i fundit”. U kthye në një fenomen, ndonëse Pausch, në rrethana të tjera nuk do ta kishte çuar as kalimthi në mendje ta shkruante. Rrëfimi i një njeriu që pret vdekjen u përkthye në shumë gjuhë të botës. Së fundmi ka ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”. Ish-profesori i shkencave kompjuterike, që vdiq në korrik të 2008-s, në moshën 47-vjeçare, është një nga rastet e rralla kaq shumë të mediatizuara. çdo ditë ka shumë njerëz që vdesin nga kanceri, thuajse të gjithë në heshtje. Por ndonëse e pashkruar, është një ligjësi që “jeta normale” dhe “vdekja normale” nuk bëhen pjesë e kolonave të gazetave. Me një vëmendje të tillë, Pausch pushoi së qeni një rast klinik. Ai u kthye në simbol, në një shtysë për të reflektuar mbi ekzistencën nga pragu i fundit. “Nuk është çështja se si t’i realizosh ëndrrat e tua të fëmijërisë, por si ta drejtosh jetën. Nëse e drejton jetën në mënyrën e duhur, karma do të kujdeset vetë për veten. ëndrrat do të vijnë tek ti”, shkruan Randy në librin e tij. Nuk është përpjekur të gjejë fjalë me ngarkesë emocionale. është i vetëdijshëm se rrethanat në të cilat po shkruan e ndihmojnë të bëhet kaq popullor. “Shumë pacientë me kancer thonë se sëmundja e tyre i ka dhënë një vlerësim të thellë dhe të ri për jetën. Disa madje thonë se i janë mirënjohës sëmundjes. Unë të them të drejtën nuk ndiej mirënjohje ndaj kancerit, ndonjëherë jam mirënjohës për paradijeninë e vdekjes sime. Përveç se më ndihmoi që ta përgatisja familjen time për të ardhmen, kjo kohë më dha mundësinë të shkoja në Carnegie Mellon dhe të mbaja leksionin e fundit. Ka edhe diçka tjetër. Si një shkencëtar, kurrë nuk i kam kuptuar thellësisht artistët dhe aktorët. Ata duhet të kenë menduar ndonjëherë për gjëra të brendshme që duhet të dalin jashtë, të shpërthejnë. Mendoja se kjo tingëllonte pak luksoze. Duhet të kisha qenë më shumë empatik”, shkruan ai. Megjithatë ai u karakterizua nga optimizmi deri në ditët e fundit. Arrinte që në sallën prej 400 vetash të shkëpuste fragmente të qeshurash, t’i mallëngjente e njëkohësisht t’i bënte të mendonin. Ky është një nga ato raste ku përvoja vetjake kthehet në një fenomen social e letrar njëkohësisht. “Nuk di se si mund të mos zbavitem. Jam duke vdekur dhe po zbavitem. Kam ndërmend që të gëzoj çdo ditë që më mbetet, sepse nuk ka tjetër mënyrë jetese”. Pausch thoshte se në Amerikë njerëzit u kushtojnë vëmendje shumë gjërave, por jo kohës, ajo që i lejon njerëzit të duan e të realizohen. Në fakt koha e tij mbaroi, por ndoshta jo ëndrrat e tij që lexohen e kujtohen nga miliona njerëz në botë.
#