E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për rrjetin elektrik të dobët

Fier

Rreth 500 banorë të një lagjeje të Fierit, kanë kërcënuar me protesta. Shkak për këtë vendim ekstrem është bërë furnizimi i keq i tyre me energji elektrike, si dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga tensioni i ulët. Prej 3 muajsh ata kanë pohuar se furnizohen me një tension rreth 80 W, duke shkaktuar djegien e shumë aparaturave elektrike shtëpiake, të cilat ata nuk mundin t’i blejnë sërish. “Brenda dy muajve kam marrë dy herë teknikun e lavatriçes, pasi tensioni më ka shkaktuar defekte. Bashkëshortja ime është kthyer si në kohët e mëparshme, duke larë rrobat me dorë”, thotë Thoma Ferko, banor i zonës. Për ironi të fatit kjo lagje periferike e Fierit shpërndarjen elektrike e kryen nëpërmjet shtyllave të drurit, të cilat në shumicën e rasteve janë shumë afër hapësirave lëvizëse aq sa mund të prekë fare lehtë kalimtarët ose mjetet që lëvizin në këtë zonë. “Në këto kushte na mbetet vetëm të protestojmë ndaj OSSH-së, pasi ndihemi të harruar si pjesë e qytetit që jemi”, thotë një tjetër banor i kësaj lagjeje. Përfaqësuesit e OSSH-së Fier të pyetur në lidhje me këtë rast kanë pohuar se shumë shpejt do të vendosen shtyllat e hekurit dhe gjithçka do të kthehet në normalitet, pasi janë gjetur edhe fondet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›