E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE miraton marrëveshjen ACTA

Në kohën kur në SHBA dalëngadalë po ulet pluhuri i ngritur nga paralajmërimet për miratimin e ligjeve SOPA dhe PIPA, Bashkimi Evropian po përgatitet që në fund të kësaj jave të ratifikojë Marrëveshjen Globale për Mbrojtjen e Pronës Intelektuale, që njihet si ACTA.

Gjatë kësaj jave shtetet evropiane do t’iu bashkohen SHBA’ve, Australisë, Koresë Jugore, Zelandës së Re, Emirateve të Bashkuara Arabe, Meksikës, Jordanisë, Singaporit, dhe Kanadasë në mbështetjen marrëveshjes kontroverse për luftimin e falsifikimit – ACTA (Anti-Counterfeiting Trade Agreement).

Hakerët polakë kanë sulmuar web-faqet e Qeverisë së Polonisë, menjëherë pas paralajmërimit të Polonisë se do t’i bashkëngjitet marrëveshjes kundër piraterisë. Hakerët kanë sulmuar ueb-faqen e kryeministrit Donald Tusk dhe kanë vjedhur të dhënat nga kompjuteri i njërit prej zëvendësministrave polakë për digjitalizim.

Grupi ndërkombëtar i hakerëve, Anonymous, ndërkohë ka rrëzuar të gjitha web-faqet e Qeverisë së Polonisë, përfshirë atë të kryeministrit, por edhe ueb-faqet e presidentit, parlamentit dhe të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore, në shenj të protestës ndaj shprehjes së gatishmërisë së Polonisë që gjatë kësaj jave të nënshkruaj në Tokio marrëveshjen multilaterale për luftimin e piraterisë – ACTA.

Grupi Anonymouos të shtunën mbrëma filloi me - siç u nënvizua nga ky grup – “revolucionin në internetin polak”, fillimisht përmes sulmeve ndaj web-faqeve në rrjetin social Twitter. Grupi pastaj publikoi se po i ndërpriste sulmet, sepse po priste rezultatin e mbledhjes së kryeministrit Tusk me ministrat e Digjitalizimit, Kulturës dhe të Punëve të Jashtme, në të cilën do të vendosej nëse Polonia do ta nënshkruaj marrëveshjen ACTA gjatë kësaj jave.

Sipas asaj që njoftoi organizata jofitimprurëse ndërkombëtare për të drejtat digjitale Electronic Frontier Foundation (EFF), marrëveshja në fjalë para së gjithash merret me produktet e falsifikuara, siç janë për shembull ilaçet false. Mirëpo, ligji do të ketë një shtrirje goxha më të gjerë, dhe ai do të merret veçanërisht “me distribucionin e internetit dhe me teknologjitë informative”.

Me mijëra web-faqe në SHBA, përfshirë këtu WordPress, Boing Boing, Craigslist, Reddit, si dhe enciklopedinë elektronike Wikipedia, protestuan javën e kaluar kundër dy propozim-ligjeve për luftimin e piraterisë, të emërtuar Stop Online Piracy Act (SOPA) dhe Protect Intellectual Property Act (PIPA). Gjithashtu, me miliona shfrytëzues të web-faqeve të ndryshme iu bashkëngjitën protestës së organizuar nëpër rrjetet sociale.

Protesta, që përbëhej nga nënshkrimi i peticionit dhe nga dërgimi i letrave politikanëve amerikanë arriti të bind Shtëpinë e Bardhë dhe anëtarët e Senatit amerikan që të tërheqin mbështetjen e tyre ndaj propozim-ligjeve kontroverse.

Njëra prej arsyeve që ACTA po nxitë aq shumë dyshime dhe shqetësime është se për këtë marrëveshje dihet fare pak. Sipas asaj që njoftoi EFF, marrëveshja përmban disa karakteristika që shkaktojnë shqetësim për privatësinë e konsumatorëve dhe për respektimin e lirive të qytetarëve, por edhe në lidhje me tregtinë legjitime, me inovacionet dhe me lirinë e qarkullimit të informacioneve.

Sipas EFF, ACTA po ashtu i kufizon mundësitë e shteteve në zhvillim për të zgjedhur opsionet ligjore që më së miri iu përshtaten prioriteteve dhe nivelit të tyre të zhvillimit ekonomik.

“ACTA është negociuar në kuadër të një rrethi të shteteve të zhvilluara, dhe jashtë vendeve ekzistuese ndërkombëtare dhe multilaterale për krijimin e IP normave, sikurse që janë Organizata Botërore për Pronën Intelektuale, ose Organizata Botërore e Tregtisë”, sqaron EFF.

“Shoqëria civile dhe shtetet në zhvillim qëllimisht janë lënë jashtë këtyre negociatave. Përderisa forumet ekzistuese ndërkombëtare ofronin (sadopak) hapësirë për elaborimin dhe miratimin e një spektri të tërë qëndrimesh të ndryshme, diçka e tillë nuk ishte mundur në rastin e negociatave për marrëveshjen ACTA”, paralajmëron EFF.

Vetëm një numër i vogël shtetesh që e kanë ratifikuar marrëveshjen i kanë mundësuar opinionit publik informacione që lidhen me negociatat për anëtarësim në marrëveshjen ACTA. Dokumenti të cilin e ka analizuar EFF zbulon se bartësit e të drejtave kërkojnë masa të reja juridike “me qëllim të inkurajimit të provajderëve të shërbimit të internetit për të marrë pjesë, bashkë me ta, në mënjanimin e materialit diskutabil”.

Në Irlandë, gjatë ditëve në vijim qeveria do të miratojë në mjet ligjor i cili bartësve të të drejtave - siç janë shtëpitë muzikore dhe studiot filmike - do t’ia jep të drejtën që të kërkojnë bllokimin e provajderit të shërbimeve të internetit për shkak të shkarkimit të materialeve nga rrjetet e tyre. Sipas sqarimit të EFF, grupet me ndikim që e mbështesin krijimin e marrëveshjes ACTA angazhohen për filtrimin obligativ të internetit nga ana e provajderëve dhe për dërgimin e tri vërejtjeve shfrytëzuesve para se ata të largohen nga rrjeti.

Kjo organizatë tërheq vërejtjen se metodat e filtrimit që mbështeten me marrëveshjen ACTA mund të përfshijnë edhe “pakon e një inspektimi të thellë të komunikimit me internet të qytetarëve”, gjë që nge një shqetësim të madh për liritë dhe të drejtat e qytetarëve që lidhen me privatësinë e tyre.

Ekzistojnë shumë papajtueshmëri mes marrëveshjes ACTA dhe ligjeve të Bashkimit Evropian, të cilat ndikojnë negativisht edhe në afarizimin e tregut, por edhe në konkurrencën brenda tij. Akademikët evropianë theksojnë se situata me marrëveshjen e ACTA është tejet e keqe, sepse ajo shkelë të drejtën për lirinë nga hetimet e paarsyeshme dhe nga arrestimet, të drejtën për pacenueshmërinë e shtëpisë (vendbanimit), të drejtën në pronë dhe të drejtën për një gjykim (qytetar) të drejtë, etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›