E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia,17 vjet pavarësi

Autori i Lajmit: red.
Maqedonia festoi dje 17-vjetorin e pavarësisë së saj. Gjatë këtyre viteve vendi është përballur me sfida në rrafshin ekonomik, diplomatik dhe me zgjidhjen e çështjeve etnike. Në këtë përvjetor Maqedonia ka statusin e kandidates për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më 8 shtator të vitit 1991 mbi 97 për qind e qytetarëve që dolën në referendum i thanë “Po” pavarësisë së Maqedonisë. Shqiptarët nuk votuan. Me këtë akt Maqedonia u shkëput nga ish-Jugosllavia. Disa ditë më pas Parlamenti miratoi deklaratën për pavarësi, e cila i parapriu nxjerrjes së Kushtetutës dhe akteve tjera ligjore.
Menjëherë pas pavarësisë Maqedonia u përball me embargon ekonomike greke, ndërsa në vitin 1993, po për shkak të reagimit të palës greke, ajo pranohet si shtet sovran në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, jo me emrin e saj kushtetues, por si Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë.
Gjatë kësaj periudhe Maqedonia u përball me sfida të ndryshme, me vështirësi ekonomike, sociale e politike si dhe me probleme ndëretnike.
Sprova më e vështirë për Maqedoninë ishte vitit 2001, kur shpërtheu konflikti ndëretnik mes forcave proqeveritare maqedonase dhe pjestarëve të ish-Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare. Pas një konflikti disa muajsh dhe ndërhyrjes së drejpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare, konflikti u ndërpre, ndërsa Kushtetuta e re u garantonte shqiptarëve më shumë të drejta etnike.
Maqedonia, edhe pas 17 vitesh të pavarësisë, vazhdon të ketë probleme me disa nga shtetet fqinje. Greqia nuk ia njeh emrin, Bullgaria e vë në dyshim identitetin kombëtar, Serbia nuk e njeh autoqefalinë e Kishës Otodokse Maqedonase. Vendi ka marrëdhënie të mira fqinjësore me Shqipërinë, ndërsa akoma nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Problemi kryesor për Maqedoninë, që nga pavarësia e saj e deri më sot, edhe më tej mbetet zgjidhja e dallimeve më Greqinë rreth emrit kushtetues. Pikërisht për këtë Maqedonia nuk arriti të marrë ftesë për anëtarësim në NATO, ndërsa rrezikon edhe integrimin në Bashkimin Evropian.
Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›