E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni,debate për kandidatët në zgjedhjet lokale

Partitë politike deri tani nuk kanë zbardhur emrat e kandidatëve për kryetar komune për zgjedhjet lokale të 15 marsit të vitit 2009. Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) ka nisur debatet e brendshme partiake për të nxjerrur kandidatët për kryetarë komunash. Kryetari aktual i Gostivarit, Nevzat Bejta ka bërë publike rikandidimin e tij për këtë detyrë. Pretendentë nga radhët e BDI-së që pritet të rikandidohen janë edhe kryetari i komunës së Tetovës, Hazbi Lika, kryetari i komunës së ]airit, Izet Mexhiti, kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili mbrëmë fitoi në zgjedhjet e brendshme për kryetar të BDI-së në Strugë, përballë një fraksioni tjetër partiak të udhëhequr nga Aziz Pollozhani dhe Sejfulla Hani. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti deklaroi se organet partiake nëpër degë janë ato që përcaktojnë edhe kandidatët për kryetar komune. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) deri tani nuk ka nxjerrur asnjë emër për kryetar komune, përveç një kandidature të mundshme deri tani për Gostivarin, Frymëzim Dautin, një kuadër i ri i kësaj partie. Forumet e PDSH-së synojnë që në këto zgjedhje të synojnë fitoren e Tetovës dhe disa komunave të tjera ku PDSH pati më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 1 qershorit. Partia e sapoformuar Demokracia e Re (DR) gjithashtu ka paralajmëruar se hynë në këto zgjedhje me pretendime të mëdha për të fituar një pjesë të komunave. Kryetari aktual i komunës së Sarajit të Shkupit, Bekim Fazliu është një nga kandidatët që do të rikandidojë në këtë komunë. DR po vazhdon negociatat e brendshme për të shqyrtuar kandidaturat e para për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në garën zgjedhore lokale në Gostivar do të konkurojë Rufi Osmani, profesori aktual i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe ish-kryetar i komunës së Gostivarit. Partitë maqedonase gjithashtu nuk kanë publikuar emrat e favoritëve të tyre për zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›