Maqedoni,përballen kandidatët për president

Kandidatët për president në Maqedoni për në raundin e dytë, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Fërçkovski nga LSDM-ja opozitare kanë zhvilluar debatin e parë me tone dhe akuza të ashpra për temat e izolimit të vendit dhe bllokimit të procesit të eurointegrimeve. Kandidati opozitar i socialdemokratëve Lubomir Fërçkovski ka insistuar se qeveria aktuale është fajtore për rrënimin e pozicioneve në planin ndërkombëtar. "Kjo qeveri me politikën e udhëhequr me elementetet e antikitetit rreth çështjes së emrit ka rrënuar pozicionet e Maqedonisë në planin e jashtëm. Sa më shpejt duhet të arrihet kompromis për emrin, me qëllim që Maqedonia në shtator të marrë ftesën për anëtarësim në NATO", ka theksuar Fërçkovski duke akuzuar, se kjo qeveri po ndjek kursin e izolimit të vendit. Ai ka premtuar se angazhohet për zgjidhje të emrit pa prekur identitetin kombëtar maqedonas. Nga ana tjetër, Ivanov ka hedhur poshtë akuzat e oponentit të tij, duke shtuar se qeveria aktuale angazhohet në negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, dhe sipas tij, jo nënçmuese. Ai ka shtuar se Maqedonia mbetet e përkushtuar për integrimin e saj në NATO dhe se vazhdon në objektivin e saj për bashkëpunimin të ngushtë me vendet mike. Dy kandidatët për president kanë shkëmbyer edhe ofendime dhe nënçmime lidhur me karrierën e tyre politike dhe intelektuale. Kandidati i opozitës Fërçkovski e quajti një njeri të cekët kundërshtarin e tij Ivanov, duke e konsideruar vetëm si një "fletë të bardhë" në karrierën politike. Ndërsa Ivanov në kundpërgjigjen e tij ka theksuar se Fërçkovski ka një bekgraund të errët politik dhe se ja qënë një vrimë e zezë kur ishte në krye të Ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme në Maqedoni.