E Diel, 1 Nëntor 2026

Angli-SHBA, një sfidë me shumë hesape për të larë

Pragndeshja Kapelo: Janë rivalët tanë në grup, nuk i nënvlerësojmë

Në mbrëmjen e sotme telekamerat do të fokusohen tek Angli-SHBA (ora 20.30), ku do të debutojë në botëror Fabio Kapelo. Kjo ndeshje për anglezët ka shijen e hidhur të shakasë së 60 viteve më parë, kur Kombëtarja e Madhërisë së Saj më në fund pranoi të marrë pjesë te botërorët e futbollit (deri atëherë anglezët e konsideronin veten superiorë ndaj pjesë tjetër të botës së futbollit dhe injoronin Kupën Zhyl Rimet) dhe u mund në mënyrë të pabesueshme në Belo Horizonte nga diletantët e panjohur amerikanë. Përfundoi 1-0 me gol të Gaetjens. Nuk duhet të harrojmë që futbolli është shpikur në Angli dhe Amerikës i është dashur të bëjë luftë për t’u çliruar nga zgjedha e kolonializmit anglez. Lojtarët flasin të njëjtën gjuhë dhe po tërheqin vëmendjen. Shumë lojtarë amerikanë luajnë në Angli, si Tim Houard, Landon Donovan e Klint Dempsei. Amerikanët heqin kapelen para yjeve si Frank Lampard e Uejn Runi. Të dyja skuadrat kanë mbrojtje pak të dobëta, por janë të forta në sulm. Kapelo nuk e nënvlerëson kundërshtarin. “Duhet të jemi të kujdesshëm. Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe ne mund ta nisim më me vështirë në grup, pasi SHBA-ja ka pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për në botëror”, thotë Kapelo. Sipas analistëve amerikanë, kjo është skuadra më e mirë që SHBA-ja ka pasur ndonjëherë. “Nuk na mungon respekti për Anglinë, por ky është grupi ideal për ne: thotë ish-sulmuesi amerikan Erik Uinalda. Sot fjalën e fundit do ta thotë fusha.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›