Maratonë jazz-i
Për disa orë me radhë në skenën e Teatrit të Operës, kultura të ndryshme janë shkëmbyer në një maratonë pianistike. Në kuadrin e festivalit ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve” mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në bashkëpunim me Klasik-Argjiro, Shoqata Franko-Shqiptare dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë është organizuar një maratonë pianistike me artistë të ftuar nga vende të ndryshme të botës. Për këtë janë ftuar në një “duo” pianistja Julia Amada Kruger nga SHBA-ja, si dhe nga Moska, Viktor Bunin. Pas tyre, në një piano improvizuese ka luajtur Robert Bisha, i cili mbrëmë ka përfaqësuar Shqipërinë, si dhe mbyllja e kësaj maratone është marrë përsipër nga këngëtarja e njohur nga Kosova, Alma Bektashi. Ajo ka përfaqësuar kështu vendin e saj, Kosovën, duke u mbështetur në një repertor që i përkiste muzikës jazz, si dhe këngë qytetare.
Duo me të huaj
Të parët që kanë hapur maratonën e mbrëmshme kanë qenë pianistët e huaj, Julia Amada Kruger nga SHBA-ja, si dhe Viktor Bunin nga Moska (Rusi). Ata janë shprehur të kënaqur që janë pjesë artistike e festivalit ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”, ndonëse për ta nuk është hera e parë që shkelin skenën shqiptare.
“Jemi shumë të kënaqur që jemi sërish në Tiranë që prej vitit 2006, kur ne kemi dhënë koncertin tonë të parë. Jemi shumë të nderuar për këtë ftesë, e cila ka shumë domethënie për ne”, - është shprehur pianistja Julia Amada Kruger. Më tej, ajo shton se i vjen mjaft mirë që nëpërmjet koncertesh të tilla ekziston edhe mundësia që kultura të ndryshme bashkohen me njëra-tjetrën. Kjo, sepse, sipas saj, në muzikë fjalët nuk janë shumë të nevojshme. “Gjuhët janë të gjitha njësoj në muzikë”, - shton ajo.
Mbrëmë ata kanë performuar pjesë të ndryshme klasike, një repertor i përzgjedhur në kompozimet më të njohura të të dyja vendeve, si nga Rusia, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se ne vijmë nga shtete dhe kontinente të ndryshme, unë nga SHBA, ndërsa Viktori nga Moska për të luajtur në këtë koncert, ne preferuam që kësaj here të performojmë një repertor të larmishëm. Jemi munduar që nëpërmjet këtyre pjesëve që luajtëm mbrëmë kërkuam të thyenim kufijtë”, - shprehet Julia për këtë koncert. Në Tiranë është hera e dytë që ka ardhur pas një ftese për koncert në vitin 2006, kështu ajo tregon pa emocione pasi, tashmë gjithçka është familjarizuar me të. “Në skenën shqiptare tashmë ne ndihemi si në shtëpinë tonë. Para gjashtë vitesh ne kemi qenë të ftuar edhe në Kosovë, teksa ne kishim marrë një ftesë nga Kombet e Bashkuara. Ndërsa tani kemi marrë një tjetër ftesë nga zoti Mal Berisha e për këtë ne gjendemi këtu”, - thotë pianistja, duke shtuar se të veçantë këtë aktivitet e bën edhe fakti që ata kanë krijuar shumë miq në Tiranë, të cilët sipas saj, e pëlqejnë muzikën e tyre. Madje, pianistja ka shtuar se ajo çka e emocionon më tepër është ngrohtësia e shqiptarëve dhe sjellja e tyre me ta. “Në Tiranë po më emocionojnë më shumë njerëzit, sepse me aq sa kemi takuar na kanë lënë përshtypjen se janë shumë të ngrohtë, janë shumë mikpritës. Kudo që ne dalim nëpër qytet ata nuk ngurojnë të na përcjellin. Për këtë ne ndihemi shumë mirë”, - thotë ajo. Ajo çka e bënte të veçantë “lojën” e tyre në instrumentin e pianos është fakti se për të njëjtën pjesë ata performojnë ndryshe. Kështu shprehen të dy. Juria thotë se kjo është mënyrë që nxitet prej një arsyeje. “Është një ndryshim konstant që ndodh midis dy performuesve dhe në këtë mënyrë loja jonë bëhet e pëlqyeshme dhe aspak e mërzitshme për herën tjetër”, - pohon ajo. Ndërkohë që pianisti nga Moska, Viktor Bunin, e përshkruan këtë moment si rastin më të mirë për të gjetur gjuhën më të mirë për të komunikuar artistikisht me njëri-tjetrin. “Ndihemi shumë mirë. Është momenti më i mirë që mund ta kuptojmë njëri-tjetrin. Në këtë rast ne arrijmë të gjejmë një komunikim shumë të mirë. Rrjedhimisht, edhe produktiviteti ynë është shumë i kënaqshëm. Pra, është fjala për muzikën që ne arrimë të përcjellim në instrumentin e pianos. Po ashtu, mund të shtoja se në momentin kur ne luajmë është një prej çasteve më të veçanta që ne krijojmë muzikë”, - përfundon pianisti rus.