E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta forcohet përmes një vizioni sinergjik



Nga Fatbardh Doko

Në kushtet e një niveli të ri të zhvillimit të vendit, përballë kërkesës popullore për një cilësi të rritur të shërbimeve publike, të ballafaquar me një zgjedhës të mençur dhe të motivuar për të refuzuar premtime boshe, partitë e djathta në tërësi kanë zgjedhur të hyjnë në garë pa shumë pretendime ideologjike, duke treguar më shumë veprat e realizuara nga mazhoranca në mandatin e saj të parë. Kjo qasje në fakt i prodhon vlerë të shtuar komunikimit të partisë demokratike në fushatë, por nuk i garanton asaj ruajtjen e pozitave elektorale si koalicion.

Është momenti që Partia Demokratike të bëhet e interesuar për të kanalizuar tek aleatët e saj të natyrshëm – falë kornizës ideologjike të së djathtës - votat që ajo beson se nuk mund t’i përthithë të plota, falë konsumit të natyrshëm moral që prodhon një cikël qeverisjeje dhe pakënaqësive të vogla me bazë njerëzore. Kjo zgjidhje në rrafshe lokale mund të aplikohet në mënyrë të studiuar, aty ku politikat personale të demokratëve kanë cenuar efektet e reformave kuadër.

Në të njëjtën kohë unë mendoj se partitë e vogla të së djathtës duhet të dinë të përqafojnë prirjen e kuptueshme të publikut për një politikë të moderuar me synim përshpejtimin e zhvillimit të vendit, duke u qëndruar në krah demokratëve në këtë sfidë elektorale.

Deri më tani, thërrmimi i fushatave nga partitë pjesëmarrëse dhe koalicionet e mbetur në letër, kanë prodhuar më tepër konfuzion sesa sinergji tek zgjedhësi i pakënaqur.

Demokratët e kanë fleksibilitetin dhe mençurinë të kuptojnë se në qarqe të caktuara dhe në mjedise rajonale jo pa peshë, shpesh pritshmëritë publike e kanë tejkaluar performancën, edhe pse performanca – brenda premisave ekonomike aktuale, ka qenë e lartë dhe e vlerësuar.

Varfëria e gjetur në vitin 2005 dhe modeli i mëparshëm socialist për të bërë politikë me vendet e punës, natyrshëm që kanë lënë disa qarqe votuesish të djathtë në mëdyshje për angazhimin e drejtpërdrejtë në favor të mazhorancës.

Është e pafalshme që ky grup votuesish të qëndrojë në shtëpi me 28 qershor apo të votojë pa adresë, edhe pse shenjat e deritashme të fushatës flasin lexueshëm për një fitore të thellë e bindëse të mazhorancës së djathtë.

Balli Kombëtar Demokrat në këtë fushatë ka qenë i qartë në ofertën e tij se në emër të votuesve merr përsipër përfaqësimin real të atyre individëve dhe shtresave, të cilët gjejnë tek e djathta e moderuar një instrument politik për dekomunistizimin e vendit.

Ky proces legjislativ dhe politik – i lustracionit të brendshëm edhe moral të vendit- kërkon megjithatë një komponente zhvillimore të qartë për forcimin e tipareve të ekonomisë së tregut, efektivizimin e shanseve të barabarta, zbutjen e frymës etatiste që ende shumë komunitete në vend ushqejnë falë nevojës për një vend pune dhe për shkak të sektorit të pazhvilluar të SME-ve.

Balli Kombëtar Demokrat beson se jo antagonizmi, por moderimi i ndërtuar mbi vizione zhvillimore dhe mbi një optikë politike pro-aktive mbetet përgjigja më e mirë në favor të rikthimit të plotë të së drejtës për një shtresë të gjerë ish-të përndjekurish politikë dhe ekonomikë në Shqipëri. Sipas meje, ky moment politik shënon fillimin e zbatimit në Shqipëri të drejtësisë sociale dhe përmbushjen e shanseve për arritjen e një mirëkuptimi të ri kombëtar, në mbështetje të një klime politike që favorizon integrimin europian të vendit.

Ideologjia jonë është atdhetarizmi, rivlerësimi i çdo burimi kombëtar që prodhon të mira publike, ku bën pjesë edhe historia, edhe pasuritë tona natyrore dhe njerëzore, ku bën pjesë e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një kombi që ka të drejtë të besojë tek vetja. Ky mision është i përbashkët – pavarësisht zgjedhjeve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›