Pushteti i Ramës mbi mediat
Nga Brikena Bogdo
Në mesin e shekullit XVI, veçanërisht në Gjermani, filluan të lulëzonin disa shoqëri masone (ose të fshehta), që mbi gjithçka dëshironin pushtetin, ose më saktë dominimin absolut. Por mënyra e arritjes së këtij dominimi ishte krejtësisht makiaveliste. “Unë të ndihmoj ty, ti më ndihmon mua. Të dy së bashku ua hedhim të tjerëve”. Ky është thelbi edhe sot i filozofisë masone. Një grusht shumë i vogël njerëzish, që dominojnë politikisht, financiarisht, mediatikisht pjesën tjetër. Ata kanë një ndjesi nihiliste ndaj kësaj pjese tjetër, të mbetur. Shoqëritë e fshehta, konspirative predikojnë që në të ardhmen do të sjellin rendin e ri botëror. Shoqëritë sekrete ndërhyjnë në jetën politike, ekonomike, shoqërore, fetare.
Një nga qëllimet e tyre kryesore është të kontrollojnë median, për të mundësuar kontrollin e masave përmes informacionit. T'i mësosh masat, që të përmbushin vetëm kënaqësitë e tyre, sepse në një shoqëri të degraduar, në konfuzion, të gjithë kërkojnë një mbrojtës, ose një mirëbërës ndaj të cilit të nënshtrohen lehtë. Mbase e shpjegova pak gjatë thelbin mason për median, por jo pa qëllim. Filozofia e pushtimit mediatik të Edi Ramës, përkon pikë për pikë me filozofinë masone, për një dominim dhe forcim të pushtetit, nëpërmjet medias.
Që në kontaktin tim të parë me të, si ministër i atëhershëm i Kulturës, kur i kërkova një intervistë për emisionin tim “Laborator”, në televizionin e parë privat Alba TV, më transmetoi natyrën e tij nihiliste. Ajo ditë më është ngulitur vizualisht. S’kish si të ndodhte ndryshe (ministria ishte e lyer krejt e kuqe). Por më ka mbetur edhe një memorie perfekte audio. Pse? Përgjigjet e intervistës ishin vetëm tinguj mohues, por assesi ndonjë fjalë e shqiptuar saktë, pastër, me diksion (si e përdor sot diksionin përgjatë pushtimit mediatik). Intervistën unë e prezantova tek kolegët, shefat dhe publiku “cuk” ose “ncë”. Nuk e kuptoni? Është ajo shprehja gjysmë grimasë, gjysmë tingull, kur ne shqiptarët duam të mohojmë diçka. Pas çdo pyetje timen, sado serioze, z. ish-ministër i Kulturës përgjigjej “cuk”, ose “ncë”. Atëherë pyetjet e mia për rrjedhim vazhduan: “Ju jeni nihilist? – Ncë. Atëherë ju jeni altruist? – Ncë, cuk. Atëherë ju pëlqen ngjyra e kuqe? Ncë-ncë. Apo ju pëlqen ngjyra blu? Cuk-cuk. Se çfarë ishte dhe se çfarë i pëlqente nuk arrita ta kuptoj. Stafi i televizionit të atëhershëm u dëshpërua për injorimin e thellë të z. Ministër, pasi kishin nisur problemet, me ardhjen e tij në këtë post. Ky televizion nuk shikohej me sy te mirë prej tij, dhe shpresonin në ndonjë përmirësim të klimës. Reagimi i parë instinktiv dhe mbase logjik ishte që të mos transmetohej. “Absolutisht ide e gabuar - u thashë”. Në atë emision me temë “thyerja e tabuve” figura e një nihilisti absolut, (aq më mirë e një ministri shqiptar) për gjithçka, gjithkënd e çfarëdo ishte e përkryer). Intervista u transmetua, dhe ashtu vajtën marrëdhëniet e Alba TV me ministrinë e atëhershme të kulturës, rrokopujë. Në këtë pështjellim të madh, kur lufta e shtetit kundër këtij televizioni të parë privat po i vinte nga të gjitha anët, u duk në tunelin e errët te vinte një dritë e bardhë. Ministri i Kulturës bëhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit shqiptar, pozicion ky, i konkurrueshëm me atë të Kryeministrit (për nga vlera monetare). Me forcimin e pushtetit ekonomik, i duhej edhe pushteti mediatik. Dhe në këto momente sytë kthehen nga ai televizioni i vogël që mezi mbahet ne këmbë. Ishte televizioni ideal për të futur kthetrat dhe ku Edi do të fillonte propagandën e tij, pa kufi dhe fre. Ai vuri në lëvizje marionetat e tij, ata njerëzit e vegjël që do “gudulisnin”, jo vetëm investitorët, por edhe publikun shqiptar nëpërmjet sinjalit të Alba TV. Ata vinin ashtu me nxitim, shpesh shumë të shqetësuar, se çfarë do të raportonin tek i madhërishmi nihilist, për mbarëvajtjen e krijimit të një media-propagande. Ua kuptoja hallin e madh, ku kishin rënë mbas asaj “cuk-interviste”, që mezi realizova. Përpjekjet arrijnë gati në pamundësi me njerëzit e madhërishëm, të cilët nga qesharakja i ndan vetëm një hap. Hapësirat propagandistike të Bashkisë së Tiranës filluan të zgjerohen, nga dita në ditë, në atë televizion të vogël, që mezi mbahej. Taksapaguesve shqiptarë tashmë u duhej të paguanin, jo vetëm për rrugë, kanalizime apo nuk e di çfarë... por edhe për propagandën e fuqinë mediatike të Edi Ramës. Pse duhet media-propaganda? Është më e vështirë nga ç’mendohet t’u flasësh shumë vetëve, pa u thënë asgjë. Këto tipe mediash ta krijojnë këtë mundësi. Të thuash gjithçka dëshiron, kur e dëshiron, si e dëshiron, por pa thënë asgjë. Por të kthehemi tek Alba TV. Tashmë dihej hapur dhe flitej pa doreza se rrogat e punonjësve të saj jepeshin nga Bashkia e Tiranës. Një institucion shtetëror mban financiarisht një investim privat, për të bërë lirshëm propagandën e tij. U vendos një hapësirë, rreth 30 minuta për lajmet bashkiake, me logo të veçantë. Hapësirë e veçantë për bashkinë, logo e veçantë për bashkinë, sfond i veçantë me figurën e bashkisë, staf gazetarësh që punonin vetëm për bashkinë dhe që kishin një varësi të ndërsjellët (në fakt vareshin direkt nga bashkia). Emisione të gjata për punët e bashkisë dhe me drejtues të ardhur dhe të miratuar në bashki. Drejtorë që punonin brenda bashkisë, ishin njëkohësisht edhe drejtorë media-propagandistike, në Alba TV. Ne të tjerët, që nuk” vareshim” nga bashkia e ndjenim televizionin të pushtuar, si në ato filmat tragjikë, ku i tërë ambienti është i dominuar nga njerëz të dhunshëm dhe personazhet janë të lidhur duar, këmbë, gojë. Në qoftë se bëhet një hap i gabuar, apo thuhet një fjalë e gabuar ulërihet, apo edhe hidhen në erë. Jo. Të jeni të sigurt që nuk arriti puna deri këtu, të paktën jo fizikisht. Por ishin hapat e parë drejt një mësymje, apo revanshi për të lidhur duar, këmbë e gojë, median e lirë.
Fuqia ekonomike e Edit rritej dhe me këtë ai kishte mundësinë, të rriste fuqinë mediatike që po e shndërronte tashmë në perandori. Kështu, Alba TV nuk i mjaftonte më. Në këto momente ky televizion u shkërmoq dhe u zhbë, pa nam e nishan. Sigurisht, ai televizion nuk kish, se si të vazhdonte gjatë, për sa kohë konsiderohej me tendencë të djathtë. “O me ne, o kundra nesh”. Teori fashiste që me sa duket i praktikon(te) z. Rama. Dhe me këtë mendësi, ai do t'i vërsulej gati të gjithë medias shqiptare, të shkruar dhe elektronike. Me këtë prepotencë mediatike të Edit do të ndeshesha edhe shumë e shumë herë të tjera, por tashmë nuk bëhet fjalë për televizione të vogla, si Alba TV, por në televizione kombëtare dhe projekte shumë të rëndësishme si ai i USAID–it. Ai e kuron(te) figurën e tij, në mënyrën më të detajuar dhe perfekte, duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme makiaveliste. A e keni vënë re, se sa pak përflitet (për keq) figura e Edi Ramës? Në qoftë se nuk e keni vënë re, do t'ju tregoj disa raste, ku z. Rama ndërhynte për të ruajtur grimin e fytyrës, që të mos i prishej. (Ishallah nuk ka bërë dhe ndonjë kirurgji plastike, apo të ketë ndonjë mendje për ta bërë).
Projekti investigativ antikorrupsion i IREX/USAID-it, "Hapur" do të krijonte një terren të shkëlqyer dhe afirmonte gazetarë profesionistë, të cilët do të denonconin hapur afera korruptive të pushtetarëve, pa dallim (feje, krahine dhe ideje). Më së fundi ishim të lirë (falë këtij projekti). Një dokumentar televiziv, ku mund të godasësh këdo që prek interesat publike dhe abuzon me to. Dhe vërtet, janë goditur kryeministra, ministra, (askush nuk guxoi të reagojë, pasi gjithçka ishte me fakte konkrete), kryetarë bashkish. Ah, këtu tek kryetari i bashkisë, sidomos ai i Tiranës, duhet të ndalemi. Nuk mund të goditet lehtë kryetari i Bashkisë së Tiranës (modelit evropian), qoftë edhe në një projekt shumë serioz si ai i USAID–it. “Në qoftë se nuk arrijmë ta eliminojmë që në prodhim dokumentarin, e gjejmë formën dhe mënyrën, se si ta zhdukim atë e të mos dalë në dritë për t’u parë e dëgjuar nga publiku”. Teori konspirative masone.
Së pari, dokumentarët që preknin bashkinë, ishin gangrenë për gazetarët. Pasi ishte krejt e pamundur të depërtoje në këtë bashki për të marrë, qoftë edhe një cuk-interviste. Aty e kuptova, për herë të parë, që ministri i atëhershëm na paska begenisur e respektuar goxha me atë “ncë-intervistën”. Në atë bashki mendësia masone, që të mos fluturojë asnjë informacion, ishte ulur këmbëkryq. Edhe nga mbledhjet e këtyre shoqërive masone del ndonjëherë, ndonjë njoftim për shtyp. Mediat arrijnë të nxjerrin emra pjesëmarrësish, apo dhe tema të diskutuara për qeveri globaliste. Por jo, nga Bashkia e Tiranës nuk del asgjë. Megjithatë materialet investigative, që godisnin Bashkinë e Tiranës nuk munguan dhe me sa duket, ishin “djegëse” për kryetarin e saj. Në një transmetim të parë të këtyre materialeve investigative, në televizionin publik ishte dhe një dokumentar, pikërisht me një investigim për disa punime rrugësh në Tiranë, nga ana e bashkisë, ku gjysma e fondeve ishte zhdukur. Teksa dokumentari po transmetohej pati një ndërprerje të pazakontë dhe të pakuptimtë, ku u futën reklama. U mësua, më vonë, se ishte bërë një telefonatë nga dora vete z. kryetar i bashkisë, që materiali të ndërpritej dhe të mos transmetohej. U ndërhy me reklama dhe... U ndërhy edhe nga disa struktura me pyetësorë pafund, nëse ishin të vërteta ato që raportoja në dokumentar. Kishin kaluar disa vite, që nga përpjekjet e para për media-propagande, të ushtruar në kurriz të një televizioni të vogël. Tani po ndërhyhej më brutalisht, më fuqishëm, në televizione që ndiqeshin nga e gjithë Shqipëria dhe shqiptarët. Ishte pra, shumë hapa përpara tashmë, dhe njëkohësisht shumë afër qëllimit dhe filozofisë masone për perandori mediatike (mundësisht globaliste).
Kishte edhe më keq sesa rasti i emisionit të ndërprerë në mes, duke futur reklama. Në raste të tjera përpjekjet fillonin shumë më herët në kohë. Përpjekjet fillonin që pa shkuar në televizione. Se si, dhe me çfarë “nuhatje” e zbulonin ata materialin, që po përgatitej, unë nuk mund ta them, por një gjë është e sigurt, që për një dokumentar tjetër po për punët e bashkisë, u reagua pa u transmetuar ende (vazhdonin me sa duket format konspirative). Ulërima histerike, prepotencë, arrogancë e drejtorucëve të bashkisë, se si ne, guxonim të preknim të paprekshmen, të nxirrnim në dritë punët më të padukshme, format më abuzive të projekteve me preventivat e tyre. Ne ishim ata që “gënjenim, që shpifnim”. Ndërkohë, të gjithë taksapaguesit shqiptarë e shikonin me sy dhe preknin çdo ditë të pabërën, baltën dhe llaçin. U kërcënuam, që do të hidheshim në gjyq. Me sa duket, ishte një zakon që ata e praktikonin, por që në rastin konkret nuk funksionoi. Dokumentari u transmetua (nuk kish se si të ndodhte ndryshe, në një projekt shumë serioz, si ai i USAID-it, ku flitet me fakte konkrete dhe gazetarët janë shumë seriozë) dhe askush nuk guxoi të shkonte në dyert e gjykatës.