E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marca akuzon Kalderonin: Ke trukuar Asamblenë

Një president nën presion: Ky është Ramon Kalderon. Sulmi i fundit në drejtim të presidentit të Real Madrid vjen këtë mëngjes nga katër faqet e para të gazetës "Marca": drejtuesi i "Casa Blanca" në asamblenë e fundit, shumë të tensionuar të klubit (7 dhjetorin e kaluar), kishte mundësuar të votonin persona të cilët nuk kishin të drejtë vote. Ishte e nevojshme të aprovohej bilanci dhe të emërohej grupi i ri drejtues elektoral. Prandaj, përballja parashikohej të ishte e fortë. Sikurse ka denoncuar dje e përditshmja sportive spanjolle, Kalderon ka bërë lojë të pistë. "Kalderon trukon Asamblenë", ishte titulli i "Marca"-s. Gazeta premton se do të ketë vazhdim të çështjes edhe sot. Më 7 dhjetorin e kaluar në Asamble, klima ishte e tensionuar gjatë gjithë ditës dhe Kalderon u kritikua ashpër për mbështetjen që mori në bazë të dhunës dhe toneve të larta kundrejt opozitarëve. Mbështetësit e tij ishin tifozët "Ultras Sur", fansat më radikalë të Real Madrid. Më pas i gjithë shtypi e akuzoi ashpër Kalderonin për përdorimin e ultrasve. Por, sipas "Marca", presidenti ka vepruar akoma dhe më keq: ka mundësuar të votojnë njerëz që nuk kishin të drejtë ta bënin një gjë të tillë, pasi nuk ishin pjesë e klubit. Shumë nga të pranishmit dëshironin që të bëhej votim i fshehtë, ndërsa Kalderon imponoi vullnetin e tij dhe u votua në mënyrë publike. Ky është vetëm sulmi i fundit ndaj presidencës madrilene, e cila në qershorin e 2006-ës rizgjodhi Fabio Kapelon si trajner të Realit. Probleme edhe për votat me postë, për të cilin është hapur edhe një çështje në gjykatën civile. Ka dyshime për mbështetjen e tij ekonomike. Zgjedhjet e ardhshme janë parashikuar në 2010: Nuk ka siguri se kush mund të fitojë, edhe sepse hija e rikthimit të Florentino Perez ka filluar të duket. Lufta do të vazhdojë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›