Margaritari i rrezikshëm mesdhetar

Turqia menjëherë brofi në këmbë, nga brenga që strehim në Siri mund të kërkojnë edhe pjesëtarët e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), e cila që nga viti 1984 lufton haptas kundër qeverisë në Ankara. Por, problem shumë më i madh se ai që e parandaloi Turqia nëpërmjet vizitës historike në Kurdistanin irakian të ministrit të Jashtëm, Ahmed Davutoglu, është përhapja e mundshme e konfliktit sirian në Libanin fqinj.
Damasku zyrtar konsideron se Libani, të cilin Siria e rrethon gjeografikisht. Libani, ky margaritar i Mesdheut, në aspektin etnik, kulturor dhe religjioz është njëlloj Sirie e vogël, përveçqë - falë profitit të lartë nga turizmi dhe nga tregtia në portet detare - ka arritur të zhvillohet dhe të shndërrohet në një shtet të pavarur e të pasur. Kacafytjet e brendshme mes myslimanëve shiitë e sunitë, dhe të krishterëve e drurëve, të “ndihmuara” nga jashtë (qoftë nga Perëndimi, apo nga Siria), e futën këtë shtet në një luftë të përgjakshme qytetare, e cila zgjati nga viti 1975 deri më 1990. Në këtë luftë u përfshinë aktivisht Izraeli dhe Siria, ndërkohë që edhe shumë të interesuar të tjerë vepronin nga “anash”.
Kur lufta më në fund përfundoi, të gjitha forcat u tërhoqën nga Libani, përveç Sirisë, e cila atje mbeti deri në vitin 2006 kur, në trysninë e fuqishme ndërkombëtare, më në fund u detyrua ta tërhiqte ushtrinë e saj pas atentatit ndaj ish-kryeministrit, Rafik Hariri. Kjo vrasje ende mbetet e pazbardhur, edhe pse OKB’ja kishte formuar një gjykatë dhe prokurori speciale, e cila synonte të padiste disa nga zyrtarët e grupit militant shiit, Hezbollah, i cili ishte grupi i vetëm që pas luftës qytetare në Liban refuzoi të çarmatosej.
Hezbollahu ndihmohet ushtarakisht dhe financiarisht nga Irani dhe Siria, ndërkohë që politikisht u forcua aq shumë saqë sot kontrollon një pjesë të madhe të pushtetit në Liban. Në të vërtetë, pas luftës qytetare ishte arritur një marrëveshje që parashikonte që sunitët, të krishterët dhe shiitët të ndanin pushtetin në vend, gjë që rezultoi me njëlloj konsensusi: asnjëra palë nuk ishte sa duhet e fuqishme për të qeverisur e vetme, andaj e kontrollojnë njëra-tjetrën, duke mundësua kështu funksionimin e Libanit si shtet.
Pas shpërthimit të luftës në Siri, në Liban u shfaqën ndarje serioze. Sepse, për t’iu përgjigjur kërkesave të Iranit, Hezbollahu – bashkë me shiitët – u pozicionua fuqishëm përkrah presidentit sirian, Bashar Al-Assad. Sunitët, nga ana tjetër, mbështetën kryengritësit sunitë sirianë, ndërkohë që të krishterët mbetën neutralë - me qëllim që të ruanin sa më mirë pozitën e tyre (fillimisht, njësoj reaguan edhe të krishterët në Siri, nga frika se një regjim i ri islamik do të ishte shumë armiqësor për ta).
Nëse konflikti sirian do të përhapej në Liban, sigurisht që do të reagonte edhe Izraeli, me qëllim të mbrojtjes së kufijve të tij verior me Libanin, të cilat nga an libaneze kontrollohen nga Hezbollahu – me të cilin Izraeli ka bërë një luftë më 2006, të cilën nuk e ka fituar. Në Liban ekziston edhe një bashkësi e konsiderueshme e refugjatëve palestinezë, të cilët gjithashtu do të radikalizoheshin, pa harruar këtu as Egjiptin, i cili - përmes sunitëve - gjithsesi do të synonte që të ruaj ndikimin e tij. Për shkak të Izraelit, gjithë situatën e krijuar sigurisht që SHBA’të s’do ta shikonin me gjakftohtësi, kurse, për shkak të rolit të saj historik kolonial, do të përfshihej edhe Franca.
Në këtë rast, kërcënimi i një lufte të re qytetare vetëm sa do ta komplikonte situatën në rajon. Nuk përjashtohet as ajo se, rezultati përfundimtar i luftës në Siri - cilido që të jetë ai – të nxis tensione të reja në Liban. Veçanërisht, nëse rezultati i luftës në Siri nuk do t’i përgjigjet Iranit, cili nëpërmjet Hezbollahut do të mund të inicionte trazira të reja, duke e mbajtur kështu gjithë rajonin në gjendje lufte. Në fakt, autoritetet libaneze nuk posedojnë një aparat aq të fuqishëm shtetëror i cili do të mund të garantonte stabilitet, sepse organizimi më i fuqishëm i armatosur atje nuk është ushtria po Hezbollahu.
Lufta në Siri qysh tani po pasqyrohet në Liban. Pak muaj më parë, në zonat kufitare shpërthyen konflikte të armatosura, të cilat pastaj u përhapën edhe në qytetin e dytë më të madh, në Tripoli, megjithëse u pushuan me sukses. Mirëpo, monitoruesit paralajmërojnë se në atë pjesë po shihet një numër gjithnjë e më i madh i militantëve, dhe se nëpërmjet Libanit verior kryengritësit sirianë po furnizohen me sasi të mëdha të ushqimit dhe armëve.
Kryengritësit e plagosur po shërohen në spitalet libaneze, dhe disa dhjetëra-mijëra sirianë kanë gjetur sigurinë në Liban, gjë që paraqet një ‘bombë të kurdisur’ e cila mund të shpërthejë për çdo çast. Lajmet e fundit flasin për atë se në Liban kanë filluar rrëmbimet e refugjatëve sirianë, me qëllim që kështu të sigurohet lirimi i libanezëve që luftojnë në anën e Al-Assad. Për më tepër, të gjithë i ka brengosur informacioni se, një ish-ministër i Qeverisë së Libanit është arrestuar pasi kishte planifikuar sulme ndaj refugjatëve, me qëllim që të nxite Qeverinë për të mbështetur haptas regjimin e Al-Assad.
Përkundër gjithë kësaj, ruajtja e status-quo’s është e mundur, sepse të gjitha patit politike libaneze janë të vetëdijshme se çfarëdo acarimi i situatës do t’ua dobësonte pozitat aktuale. Së këndejmi, në këtë moment në skenën ndërkombëtare ekziston një konsensus, se një Liban stabil duhet të ruhet me çdo kusht.
Por, mbetet pikëpyetje sesa është e mundur kjo gjë, nëse Siria vazhdon të sharrojë edhe më thellë në kaos dhe anarki. Në këtë rast, të gjithë aktorët - Irani në veçanti – do të synojnë që t’i realizojnë planet e veta. Në Liban mjafton vetëm një plumb i shkrepur gabimisht, për të shpërthyer një konflikt pasojat dhe fundi i të cilit është vështirë të paramendohen.
(T-Portal)