E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marginalia

Gjurmët që lënë lexuesit në libra i kthejnë këta në vepra arti ku koleksionohet koha: gjethe hurme të fjetura mes faqesh, pendë të bishtit të palloit, bileta koncertesh të 20-30 vjetëve të shkuara, dëftesa të zverdhura automatesh bankare për tërheqje shumash modeste në vite krizash... Ardian Vehbiu takohet me lexues të djeshëm në Ditën Botërore të Librit

Herë pas here, më bien në dorë libra të bibliotekës ose gjetur në tezga të rrugëve ose që i blej të përdorur online; e ku lexues të mëparshëm kanë lënë gjurmët, si kalimtarët në rrugën e mbuluar me dëborë gjatë natës.


Më pëlqen të eci duke shkelur mbi hapat e tyre, ose të paktën t'ua ndjek shtegun me sy deri kur zhduket tutje, ose e mbulon dëbora sërish; ashtu sikur i takoj pak dhe ndaj me ta përshtypjet për botët që i kemi krijuar së bashku duke shfletuar të njëjtat libra në kohë të ndryshme; para se t'i lëmë këto botë të na i shembë, kështjella të shkrifëta prej rëre, batica që avitet. Ju rrëfej më poshtë lexuesit që kam takuar dhe që më kanë takuar; meritat janë të atyre, gabimet të miat.


Ta shthurësh telin me gjemba


Kjo lexuese e ka sulmuar tekstin përnjëmend; duke ia nxirë e mbuluar fjalë, pasazhe e ndonjëherë paragrafë të tërë me bojë të zezë kine, të padepërtueshëm nga syri, si censura; gjetiu duke e ngulur majën e lapsit ose të stilolapsit aq fort në fletë, sa ta shpojë e grisë letrën e të çelë vrima gjatësore tej për tej si kanale për të shtruar kavot e mendimit të saj shkatërrimtar; diku tjetër duke shkulur me zemërim faqe të tëra ose copëra të çrregullta faqesh, të cilat i ka futur pastaj, ndoshta e penduar, mes faqesh të tjera, si për t'i fshehur nga syri gjykues i brezave.

Mëshira e inkuizitorit

Ky lexues tjetër, përkundrazi, është përpjekur ta përmirësojë veprën; duke iu qasur si redaktor i dhembshur, por pedant, me laps të kuq e të trashë prej mësuesi nga ata të dikurshmit. I është dashur të korrigjojë ndonjëherë pasazhe të gjata, duke i rishkruar me shkrim të dendur mu sipër radhëve ekzistuese; ka fshirë fjalë të tepërta ose pa vend, ka shkatërruar tautologji dhe pleonazma, ka mëkëmbur struktura sintaksore të komprometuara; syshqiponjë ka pikasur barbarizma të pahijshme, krahinizma dhe fjalë kuptimisht të lëkundshme, për t'i zëvendësuar me terma të saktë të një gjuhe të zgjedhur, ndonjëherë edhe të bukur; nuk ka harruar as të ndërrojë vitin e copyright-it, duke ndrequr pastaj edhe një gabim shtypi, të vogël por të pafalshëm, në emrin e autorit në kopertinën e brendshme.


Po-Mo


Ndoshta për faj të bojës tipografike ose të letrës së cilësisë së keqe që ka përdorur shtypshkruesi, ose edhe bombardimit radioaktiv për faj të Çernobylit a ekspozimit ndaj rrezesh kozmike gjatë ndonjë kalese impromptu në orbitë, në këtë libër teksti origjinal është venitur, zbërdhulur dhe shuar krejt prej fletëve; madje edhe ato pak shkronja që kanë mbijetuar shqiten prej faqes e të shkërmoqen në majë të gishtave, si pushi i sedeftë i krahëve të fluturave.


Përkundrazi, shënimet e lexuesve të shumtë kanë mbetur të forta dhe asertive; nënvizimet, mbishkrimet anës faqeve, rreshtat e përshenjuara me markerë ngjyrash të ndryshme dhe rezistente, që tani shtrihen tutje vetëm si tela telefonash që veç i bëjnë zile njëri-tjetrit. I zbrazur nga teksti origjinal, libri i ngjan një vepre arti të brishtë dhe kurioze, kolazh njëkohësisht kaligrafik dhe eksperimental, gjeometri e një mendimi dikur të organizuar dhe dinjitoz, por që tashmë identifikohet veç nëpërmjet ekskrementeve të veta.


La voce del padrone


Kur e hap këtë libër kokëfortë, ndesh në një lexuese me mendje superiore ndaj simes; nënvizimet e saj më ndihmojnë të zbërthej çka përndryshe do ta kisha shpërfillur nga pafuqia; pikëçuditëset e saj aq vertikale më tërheqin vëmendjen për çka do të më kishte shpëtuar; komentet e saj anash me shkrim të dendur më lejojnë të rrok çka përndryshe do të më kish mbetur e pakuptueshme.


Dalëngadalë mësohem të mendoj me mendjen e saj, të reagoj me intelektin e saj, të gëzohem kur ajo më në fund e zbërthen një koncept veçanërisht të koklavitur, ose e shpërthen një derë mendimesh deri atëherë të kyçur. Zëri me të cilin i lexoj radhët vetmevete nuk është më imi; mendja e zgjuar prej dritës së përtejme tashmë është duke më zëvendësuar; veç dora që shfleton më ka mbetur pas kolonizimit, si ngushëllim.

Natyrë e qetë me libër


Ky vëllim i virgjër, pa shënime dhe opinione të mëparshme, pa rrudhje vetullash dhe duartrokitje dhe psherëtima moskuptimi, më ka ardhur i mbushur gjer në zgrip me shenja dhe gjurmë të lexuesve të djeshëm: gjethe hurme të fjetura mes faqesh, së bashku me lule të thara delikate, pendë të bishtit të palloit, bileta koncertesh të 20-30 vjetëve të shkuara, dëftesa të zverdhura automatesh bankare për tërheqje shumash modeste në vite krizash; artikuj të prerë me gërshërë nga gazetat ose revistat me klasifikime të kampionatit të rugby-së ose të xhiros çiklistike të Flandrës; pa zënë pastaj në gojë thërrime buke të dyllosura, njolla rimeli dhe pudre, pllanga gjalpi të pikuar dhe gjaku, njolla kafeje të fortë dhe çaji Europe, ndoshta edhe lotësh të rastit në pasazhet më sentimentale, ose thjesht pikash të mëdha shiu. Disa fletë e kanë ruajtur një parfum të dikurshëm gruaje, tashmë të mumifikuar; së bashku me ndonjë fije floku tek-tuk, bojë të verdhë herë gri të hapur herë të zezë në rrënjë.


Dialog i pjesëtuar me zero


Ky libër tjetër është i mërzitshëm, i shkruar shkeleshko dhe pa shije, praktikisht i dështuar nga një autor që veç më fton të mos ia vë shumë veshin; do ta kisha lënë përgjysmë me kohë, sikur të mos isha tërhequr pas shënimeve që kanë lënë aty të tjerët; të cilët jo vetëm komentojnë librin, por edhe nisin t'i përgjigjen njëri-tjetrit si në forume zukatëse Interneti, duke u përfshirë në polemika që vazhdojnë nga një faqe në tjetrën, duke u derdhur e shumëzuar pastaj në hapësirat boshe në fund të çdo kapitulli. Komentuesit njihen mes tyre me emër, ia mbajnë mend shoku-shokut dobësitë dhe pikat e forta, mangësitë dhe kompetencat, kartat e mira dhe të këqijat që u kanë mbetur për të luajtur; duke ua ndjekur dyluftimet, ndihem po aq i vetmuar sa autori.


Anti-alibi


Ja edhe një libër i vjetër; tashmë i përfshirë në kanonin e letërsisë perëndimore, pse jo botërore. Aradhe lexuesish e kanë kaluar nëpër duar, me përulësi e reverencë; ndonjë aq naiv sa ta shprehë admirimin haptazi, duke nënvizuar pasazhe përndryshe të cituara nga çdo enciklopedi e tekst shkollor të kësaj ane të botës; të vëna në krye si epigrafe qindra e ndoshta mijëra vëllimesh të shkruara më pas, nga autorë që s'e kanë pasur të vështirë të njohin, publikisht, borxhin e tyre intelektual dhe moral ndaj paraardhësit dhe mësuesit të tyre të lavdishëm.


Duke e shfletuar njoh, mes të tjerash, fjalë që më tingëllojnë familjare, shkruar nga një dorë njëlloj familjare - janë të miat, nga një lexim i shumë viteve më parë; edhe pse sot do të isha shprehur me siguri ndryshe.


Nuk di nëse kam arsye të krenohem me vetveten time të dikurshme, që e kam lënë mbishkrim përdhosës mbi monumentin e kulturës; por edhe nuk më vjen të thërres "kapeni!".


Faded jeans


Ja edhe një libër i ri në llojin e vet; edhe pse i lidhur hijshëm, si për t'iu dhuruar një princi trashëgimtar të mbetur përndryshe pa fron. Askush nuk e ka lexuar para meje, sepse faqet i kërcasin gjatë shfletimit, madje disa refuzojnë të shqiten prej shoqeve, duke mbetur të përqafuara, si fletë çarçafi në një dhomë hoteli kështjellë në Marok.


Por ky libër, ndryshe nga të tjerët, i ka përfshirë shënimet, shenjat anës faqes dhe nënvizimet me laps të ngjyrshëm që në origjinë; duke m'i sjellë të shtypshkruara, si pjesë e dizajnit grafik.


Është libër i ri i paprekur, që kërkon të hiqet si i përdorur, ready-made, madje i keqpërdorur, i abuzuar nga lexues të pagdhendur, i bërë pis, i grisur, i zhyer, i lënë në shi dhe i harruar në tryeza mensash ose lavamanë palestrash, i prerë me gërshërë dhe thika inoks të temperuara mirë. Më sjell ndërmend vepra të falsifikuara arti, hoax-e vjetruar nga mjeshtër të mashtrimit në gjithfarë autoklavash me tym bloze të squfurt.


Çuditërisht, mbi faqet e plastifikuara e kam të pamundur të shkruaj, madje as emrin tim ose një dedikim çfarëdo, pa le kritikë teksti të arsyetuar ose denoncime gabimesh elementare të autorit. Një shenjë që përpiqem të lë me marker ngjyrë të gjelbër të ndezur më transferohet sakaq, ende e njomë, në mollëz të gishtit, duke e lënë faqen po aq të bardhë dhe llamburitëse sa më parë, si të mbrojtur pas një cipe qelqi.

Kur të mos lexojmë më


Me këtë lexuese nuk pajtohem dot kurrë; çfarë më pëlqen mua, kjo e paska urryer; çfarë do ta kisha miratuar unë me një "Po!" entuziaste, kjo e paska shënuar me një "Jo!" zemërake; çfarë më duket mua e zbehtë, ose e argumentuar keq, ose edhe fare pa kuptim, këtë e paska lënë gojëhapur për nga thellësia ose mprehtësia ose pasuria e implikimeve; vërejtjet e saj më tingëllojnë të cekëta, reagimet dhe emocionet e saj groteske, gjykimet dhe opinionet e saj të kundërta me të miat.


Megjithatë, na bashkojnë ato pjesë të librit ku nuk kemi shënuar e shtuar asgjë, ndoshta që edhe i kemi lënë pa lexuar pse nuk na kanë interesuar asfare; në shtrat të heshtjes dhe shpërfilljes përziejmë tërheqjen dhe pasionin tonë sekret.


Cura te ipsum, auctor


Rastësisht tërheq nga biblioteka një libër timin të shumë vjetëve më parë; për të parë ç'kanë gjetur dhe nënvizuar aty lexuesit, çfarë u ka ngacmuar përfytyrimin, çfarë nuk kanë kuptuar dot, çfarë nuk kanë dashur të kuptojnë.


Libri i ka shënimet të pakta dhe të ndrojtura, thuajse lexuesit e kanë shmangur ose, përkundrazi, e kanë trajtuar me kujdes të tepruar; atmosfera e rralluar mbishenjon ose temená, ose indiferencë; por unë tani nuk po i qëmtoj shënimet e të tjerëve më, madje edhe kur i fryjnë zjarrit pa shkak, ose aludojnë për pikat e mia të dobëta, ose më vijnë nga njerëz që përndryshe i njoh e që çmoj pa masë e që ua njoh shkrimin me të parë; paskam harruar sakaq që librin e kam shkruar unë dhe i qenkam zhytur leximit, teksa kërkoj lapsin e pamungueshëm, në sirtar të komodinës së atëhershme.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›