E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marie Logoreci, artistja që solli nënat shqiptare në art

Autori i Lajmit: Fabiola Kurteshi
Zëri i saj tanimë është hedhur në eterin e përjetshëm. Sillet e sillet rreth nesh, por në fakt askush nuk ka ndjeshmërinë për ta dëgjuar dhe as për ta deshifruar, sigurisht. Ndërsa fytyra ndodhet stampuar në dhjetëra metra celuloid, e qeshur, e trishtuar, madje, dhe duke qarë. Dhe ndërsa bobina rrotullohet në sensin orar, nga e majta në të djathtë, gjithçka bëhet e gjallë, zëri dhe fytyra, tingujt dhe lëvizjet, për të na sjellë fare pranë magjinë e skenës. E pra, gjithçka kishte, mungon prej 20 vjetësh. Dhe nuk kishte pak. Ajo ishte një nga potencialet më të mëdha të fillimartit të shtatë shqiptar. Kishte shkëlqyer në skenë, por ia kishte dalë mbanë edhe në kinema që me rolin e parë të saj, tek filmi gjithashtu i parë me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”. U konsiderua si një aktore vështirësisht e kapërcyeshme, të paktën për rolet e nënave. Ishte vetëm 36 vjeçe kur luajti rolin e Lokes tek “Toka jonë”. Marie Logoreci, kjo aktore e madhe e skenës shqiptare, dje u përkujtua në ditën e vdekjes së saj. Në sallën e dytë të Teatrit Kombëtar, bashkëkohësit e saj, gjithashtu aktorë partnerë, e nderuan duke kujtuar detaje nga jeta e saj artistike. Ishin mbledhur shumë artistë, dashamirës e familjarë të saj, të cilët kujtuan vitet e arta të një prej artisteve më të mira të skenës sonë. Për të kujtuar një prej ikonave të kinematografisë shqiptare kanë folur Tinka Kurti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa etj. Në fjalën e tij, Josif Papagjoni tha se rolet e saj të nënave sidomos ajo e Lokes tek “Toka jonë” është vështirësisht e kapërcyeshme. Me këtë rast për të gjithë të pranishmit u transmetua edhe filmi dokumentar, që përmblidhte rolet më të bukura të Marie Logorecit. 20 vjet pas ndarjes nga jeta, kjo grua e fortë shkodrane kujtohet si të ishte një ditë më parë në skenë nga kolegët, miqtë dhe të afërmit. Me punën e saj krijuese, Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtëri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errëta.

Bibliografi
Maria lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. I ati, Palok Çurçia, ishte zejtar, kurse e ëma, Roza, shtëpiake. Ajo u bë gëzimi i vetëm i familjes dhe prindërit u kujdesën ta edukojnë me ndjenja të flakta patriotike. Paloka ishte një nga themeluesit e "Shoqërisë punëtore", një shoqëri sindikaliste. Maria që fëmijë u njoh me vështirësitë ekonomike dhe me dramat shoqërore të kohës që ndiheshin edhe në familjen e saj. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ishte fëmijë e mbarë, topalake e shoqërueshme me të gjithë moshatarët. Megjithëse ishte vajzë e vetme, ishte e butë e pa shenja llastimi e kokëfortësie. Tushi ngadalë u rrit dhe filloi shkollën femërore të "Motrave Stigmatine", një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Vitet e shkollës kalojnë shpejt dhe Tushi rritet e hyn në gjimnaz. Që në këtë kohë filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon ta shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht, ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe, në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton: dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›