E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis në Sarandë festivali i këngës dhe valles për Çamërinë

Autori i Lajmit: red.
Sarandës i është rikthyer festivali i këngës dhe valles për Çamërinë. Festivali ka shënuar ngritjen e siparit të këtij eventi artistik, ku vijnë si ortek motivet e valleve dhe këngëve për Çamërinë nga e gjithë hapësira shqiptare, deri te shqiptarët e Medvegjës. Ky është festivali i dytë që zhvillohet për këngët dhe vallet e Çamërisë, të kësaj pasurie folklorike, me një vulë të veçantë identiteti kulturor. Nga shkallët dhe skena e stadiumit të gurtë "Aleko Dajko", çamëve u janë drejtuar fjalime dhe thirrje patetike për të marshuar drejt të parëve të mbetur edhe pa varr, nga është kërkuar të vihet në vend padrejtësia e historisë ndaj një popullsie të tërë të përzënë. Ai është rikthyer në një teatër veror, mbushur me tituj këngësh e ritme vallesh, të sjella në formatin e një festivali, produkt i Unionit Artistik Kombëtar, me president Azgan Haklajn. Nata e parë ka ngjitur në skenë artistë të dashur për publikun dhe grupe folklorike me emër. Grupi simpatik i valltarëve të vegjël të Markatit dhe ansambli me emrin domethënës “Miqësia” nga Ura Vajgurore. Ansambli i Kaçanikut dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ishin si buqeta e këngëve të mbrëmjes. Këtyre grupeve u janë bashkangjitur me famën e tyre edhe këngëtaret e njohura, Maja e Irini Qirjko. Përshëndetjen e parë me publikun e ka bërë grupi i njohur i polifonisë së Sarandës, me emrin “Jonianët”. Vitin e parë të këtij festivali që u organizua në Sarandë, morën pjesë 25 grupe nga të gjitha trevat etnokulturore shqiptare, që sjellin më shumë se 500 këngë e valle.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›