Marijuana, sekuestro pasurive të kultivuesve dhe trafikuesve
GJIROKASTER – Sekuestro pasurive për këdo që do të trafikojë apo kultivojë bimë narkotike dhe ndëshkim pa ekuivok. Policia e Shtetit do të jetë strikte për këdo që guxon të sfidojë shtetin dhe ligjin. Ka qenë ky kërcënimi drejtuar të gjithë trafikantëve apo kultivuesve të marijuanës nga ana e drejtuesit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ai ka marrë pjesë në takimin rajonal rreth marrjes së masave për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike, zhvilluar mesditën e së hënës në Gjirokastër. Burgaj, qysh në fillim të fjalës së vet, ka pranuar se qarku i Gjirokastrës është problematik për sa i përket këtij fenomeni mjaft shqetësues. Sipas tij, ky vit tregon qartë se mjaft fshatra në njësitë vendore në të gjithë vendin janë hequr nga harta e zezë e kultivimit të bimëve narkotike dhe për këtë një rol të veçantë, përveç Policisë së Shtetit, ka edhe pushteti vendor. Lazarati në optikën e Burgajt qëndron ende pjesë potenciale dhe shërben si terren për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Kompromisi nuk do të ekzistojë dhe, veç kësaj, mekanizmi i cili do të japë frytet e veta sipas Burgajt, është konfiskimi i të gjitha aseteve financiare dhe të paluajtshme ndaj atyre që do të guxojnë të kultivojnë apo dhe trafikojnë marijuanë, si dhe atyre në kërkim policor. Ndërkaq, kreu i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, ka mbështetur citimet e Burgajt dhe njëkohësisht premtoi mbështetje për Policinë e Shtetit në këtë nismë. Sipas tij të fundit, të gjithë banorët e fshatit apo më tepër kryefamiljarët në mënyrë nominale, janë informuar zyrtarisht që të mos mbjellin marijuanë në bahçe apo tokat që kanë në pronësi. Prej një muaji, ne si komunë kemi filluar njoftimet derë më derë të të gjitha familjeve që të mos kultivojnë marijuanë dhe, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky njoftim ka qenë i shoqëruar me një letër, sivjet po aplikohet një tjetër formë duke e shoqëruar këtë letër, me një firmë nga ana e letërmarrësit, i cili siguron se nuk do të mbjellë në të gjithë pronën e vet asnjë rrënjë hashash, deklaroi Aliko. p.n
Nga janari u kap 1.5 tonë drogë
Vetëm për këtë muaj, Policia Rajonale e Gjirokastrës ka sekuestruar afro 500 kg marijuanë me origjinë nga Lazarati në tentativë për ta kaluar drejt Greqisë, ndërsa prej fillimit të vitit, 1.5 tonë. Janë 10 trafikantë lazaratas në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, të cilëve sipas Burgajt do tu konfiskohet pasuria si masë ndaj veprimtarive të tyre ilegale në trafikun e marijuanës.