Arrestohet hajduti i spitaleve, realizoi 6 vjedhje në pavijone
TIRANE Një 43-vjeçar që kishte bërë kërdinë duke vjedhur kompjuterët e pavijoneve në QSUT dhe në Spitalin Ushtarak, u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 teksa po tentonte vjedhjen e radhës tek Onkologjiku. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se i arrestuari është Artan Merkaj, i dënuar edhe më parë për vjedhje. Ai u kap në flagrancë kur po tentonte të hapte derën e një prej zyrave në Spitalin Onkologjik, zyrë në të cilën kishte vjedhur një laptop vetëm një javë më parë. Në momentin e arrestimit, Merkajt iu sekuestruan një palë çelësa, me të cilat dyshohet të ketë kryer gjashtë vjedhje në spitale, vjedhje që i janë dokumentuar nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, Artan Merkaj akuzohet edhe për vjedhjen e Pavijonit të Plastikës në spitalin Nënë Tereza, ngjarje e ndodhur më 17 gusht të vitit të kaluar, ku ka marrë disa kompjuterë. Gjithashtu, në QSUT ai akuzohet se ka kryer edhe vjedhjen në Pavijonin e Onkologjikut më 3 tetor 2011 dhe Pavijonin e Kardiokirurgjisë më 22 korrik 2011. Ndërsa më 30 maj të vitit 2011 dyshohet të ketë vjedhur Pavijonin e ORL në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë një çantë, një shumë parash dhe një celular. Gjithashtu, dyshohet edhe për vjedhjen e 1500 eurove në zyrën e koordinatorit të një spitali privat po në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 24 prill të vitit të kaluar.