E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, zhvillohet prova e parë e HEC-it të Ashtës

Hapet diga e Spatharit, për të mbushur basenin me ujë.

SHKODER – Në mesin e muajit maj në hidrocentralin e Ashtës do të bëhen provat e para me ngarkesë të plotë të turbinave të tij dhe në fund të këtij viti do të fillojë prodhimi i plotë i energjisë elektrike nga ky hidrocentral. Hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2 që janë pjesë e një projekti të vetëm, kanë një kapacitet të instaluar prej 48.2 MË, me një investim prej rreth 200 milionë eurosh. Specialistët që punojnë në ndërtimin e HEC Ashta, ditën e djeshme kanë bërë hapjen e digës së Spatharit, e cila furnizon me ujin e lumit Drin basenin e këtij HEC-i. Pas Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, hidrocentrali i Ashtës do të jetë me i riu dhe njëkohësisht i fundit në kaskadën e lumit Drin. Paraditen e djeshme është bërë hapja e argjinaturës, e cila ishte ndërtuar për tu krijuar mundësinë specialistëve të ndërtimit të këtij hidrocentrali që të instalojnë turbinat dhe pajisjet e tjera. Me hapjen e saj është bërë mbushja e basenit ujor, nga ku më pas është parashikuar që të fillojë prodhimi i energjisë elektrike në këtë hidrocentral. Ndërtimi i këtij hidrocentrali mbështet sigurinë e furnizimit me energji të sistemit, redukton importet e energjisë dhe ka ndikim tepër të moderuar në natyrë. Inxhinier Genc Gjeçi, përgjegjës teknik në HEC Ashta, shprehet se hapja e digës së Spatharit shënon një hap të rëndësishëm, pasi janë fazat e fundit të punimeve që po bëhen në këtë hidrocentral.                    r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›