E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marijuanë në valixhen e rrobave, arrestohet 18-vjeçari elbasanas

Droga e sekuestruar

GJIROKASTER – Policia e Kakavijës sekuestroi dje tre kg marijuanë, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë. Poseduesi i lëndës narkotike është një 18-vjeçar nga Elbasani, i cili arriti ti shpëtojë policisë kufitare sy më sy. Mësohet se dje rreth orës 14:30, gjatë një kontrolli të ushtruar në një nga autobusët e linjës Tiranë-Athinë, në bagazhin e tij është gjetur brenda një valixheje lënda e dyshuar. Droga ishte fshehur poshtë disa rrobave brenda një qese plastmasi, në të cilën kishte dy pako të mbështjella në formë të rrumbullakët me letër ngjitëse. Personi që e posedonte valixhen, 18-vjeçari Aleks Paja, ka zbritur nga autobusi sapo policia filloi kontrollin fizik të mjetit, bënë të ditur burime nga policia. Duke përfituar edhe nga konfuzioni i krijuar në Kakavijë si rrjedhojë e lëvizjeve të shumta mesditën e djeshme, Paja arriti të kapërcejë rrethimin e godinës së kontrollit të pasaportave, duke marrë drejtimin e Pyllit të Katunëdës mbi fshatin Kakavijë. Policia është vënë në ndjekje të tij, nga ku rrethoi zonën, duke krehur të gjithë pyllin edhe me qen gjurmues. Ai u arrestua disa orë më vonë për trafik ndërkombëtar të drogës. Autobusi, së bashku me pasagjerët, pas përfundimit të veprimeve paraprake hetimore dhe procedurale, ka vijuar rrugëtimin drejt Athinës.                                p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›