E Diel, 1 Nëntor 2026

Atmosferë e rëndë për Greqinë në BE

BRUKSEL- Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Jean-Claude Trichet, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompui kërkojnë zbatimin e plotë të Memorandumit nga qeveria greke dhe njëkohësisht përgënjeshtrojnë daljen e Greqisë nga Eurozona.

Pezullimi i bisedimeve me Trojkën, dështimi i Greqisë për të arritur objektivat fiskale dhe ndryshimet strukturore që ishin parashikuar në Planin Afatmesëm të Masave, kanë krijuar një atmosferë shumë negative për Greqinë në radhët e BE-së, duke u dhënë shkas anëtarëve të koalicionit qeveritar të Gjermanisë të rikthejnë skenaret e daljes së Greqisë nga eurozona – shkruan sot e përditshmja Kathimerini.

Në këtë atmosfere, vazhdojnë edhe sot në Bruksel bisedimet midis përfaqësuesve të ministrave të financave të Eurogrupit, mbi propozimin e qeverisë greke për të ndryshuar objektivat e deficitit 2011 dhe 2012 në mënyrë që t’i shpëtojë detyrimit për marrjen e masave shtesë, por me sa duket vendimi që do të merret nuk do të jetë pozitiv.

Trichet, Merkel dhe Van Rompui i kanë dërguar një mesazh të qartë Athinës, për të vazhduar zbatimin e programit dhe reformave, që qeveria kishte premtuar që në fillim. Ata theksuan se nuk bëhet fjalë për largimin e ndonjë vendi nga eurozona, pasi një gjë e tillë do të ndikonte negativisht në stabilitetin e monedhës unike.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›