E Diel, 1 Nëntor 2026

Marina ruse lokalizon "Artic Sea", arreston rrembyesit

Ministri i Mbrojtjes, Anatoli Serdiukov, njoftoi se ekuipazhi prej 15 marinarësh rusë, u lirua dje nga fregata "Landy", pa nevojën e përdorimit të armëve. Ministri theksoi se tetë personat e arrestuar nuk i përkasin ekuipazhit.

"Hetimet nxorën në dritë se, më 24 korrik, rreth orës 21, në ujërat territoriale suedeze, një gomone u afrua me shpejtësi të madhe, në bordin e së cilës ndodheshin katër shtetas estoneze, dy letoneze dhe dy qytetarë ruse", deklaroi Serdiukov.

"Këta persona, me pretendimin se barkës së tyre i kishte ndodhur një defekt, hipën në bordin e Artic Sea dhe me kërcënimin e armëve i kërkuan ekuipazhit t'ju bindeshin urdhrave të tyre. Më pas anija u drejtua për nga Afrika dhe rrëmbyesit fikën impiantin e lundrimit", shpjegoi ministri rus.

Anija me flamur maltez transportonte një ngarkesë druri finlandez drejt Algjerisë.

Ministri Serdiukov theksoi se hetimet janë duke vazhduar dhe ekuipazhi do të riatdhesohet sa më parë.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›