E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinarët shqiptarë në Jemen: U kalbëm në burg. Ne, viktima politike

TIRANE-Jemi bërë viktima të lojërave politike mes shteteve. Shteti shqiptar nuk duhet të na lërë në harresë". Fjalët vijnë nga një vend i largët siç është Jemeni, ku ndodhen të burgosur tre shqiptarë, jeta e të cilëve duket se është lënë në mëshirë të fatit. Për kapitenin e anijes "EOS", Arif Bakillari, shpresat se ata do të shpallen të pafajshëm janë shumë të pakta.

"I kërkojmë amabsadorit të ndërhyjë, ai na harroi", thotë Bakillari. Në fakt, aktualisht Shqipëria përfaqësohet nga i ngarkuari me punë Sajmir Bala në Arabinë Saudite dhe Jemen. Një shqetësim edhe më madhor për tre shqiptarët e burgosur në Jemen, është edhe municioni luftarak që ata kanë në anije, pasi ekziston mundësia e një shpërthimi të mundshëm për shkak të temperaturave të larta. Frika për fatin e tre shqiptarëve, ndihet më shumë në zërat dhe fytyrat e të afërmve të tre të burgosurve në Jemen.

E kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", bashkëshortja e Arifit, Liliana Bakillari u kërkon autoriteteve shqiptare që të ndërhyjnë për fatin e tij dhe dy shokëve të tij. "I kërkojmë shtetit shqiptar që të mos i harrojë ata në Jemen, që të mos kalben atje", - shprehet 54-vjeçarja.

BASHKESHORTJA E ARIF BAKILLARIT
Si e morët vesh për burgosjen e bashkëshortit tuaj?
Më mori Arifi në telefon dhe më tha që, "rrezikojmë që këta këtu të na dënojnë, ne nuk kemi bërë asgjë". Arifi më tha se i kishin arrestuar në Jemen, edhe pse nuk kishin bërë asgjë. Ai ka punuar gjithmonë me ndershmëri, nuk është marrë asnjëherë me gjëra të jashtëligjshme.
Si arrini të flisni me burrin tuaj?
Ne flasim në telefon pothuajse çdo ditë. Më ka thënë që nuk i trajtojnë keq, vetëm se ai është larg dhe nuk ka njeri.
Sa kohë keni që nuk e shihni Arifin?
Kam 9 muaj që s'e shoh burrin tim; është e vështirë që të shkosh atje, sepse Jemeni është në gjendje lufte. Tani presim vetëm gjyqin në 7 maj që të shohim ç'do bëhet, prandaj i kërkojmë shtetit shqiptar që këto ditë që kanë ngelur të bëjnë diçka dhe të reagojnë, sepse shtetasi grek që ishte në anije me burrin tim doli, indianët po ashtu, vetëm shqiptarët janë lënë në mëshirë të fatit, duke iu shtyrë gjyqet herë pas here.
Keni folur me autoritetet shqiptare?
Kam shkuar tek Ministria e Jashtme dhe më kanë thënë që ambasadori i ri shqiptar që është vendosur në Jemen ka komunikuar me autoritetet atje, por Arifi më ka thënë që "ai nuk ka bërë asgjë. Shteti këtu nuk ka lëvizur hiç fare. Ambasadori i parë, Admirim Banaj është sjellë shumë mirë, ndërsa ky tjetri nuk ka kontaktuar fare". Ne jemi zhgënjyer nga shteti, sepse i kanë lënë në harresë. Ata janë lënë të pambrojtur dhe ndihen shumë keq kur iu thonë autoritetet vendëse të Jemenit që shteti i tyre i ka lënë në harresë.
FLET ARIF BAKILLARI
Si paraqitet situata në Jemen?
Unë vazhdoj të jem i arrestuar, ndërsa dy shqiptarët e tjerë janë në anije, bashkë me dy indianë. Në 7 maj kemi gjyqin e Apelit. Ne kemi dy avokatë shtetërorë të Irakut, sepse këta kanë ligje të çuditshme, sepse asnjë avokat i shteteve të tjera nuk ka të drejtë që të na përfaqësojë neve në gjyq. Asnjë avokat i huaj nuk mund të vijë në Jemen për të na marrë në mbrojtje. Problemi i këtyre janë marrëdhëniet mes shtetit të Irakut dhe Jemenit, sepse ngarkesa jonë ka qenë për Irakun dhe këta na përdorin neve. Jemeni, duke qenë se i ka marrëdhëniet të tensionuara me SHBA-në, nuk lejon futjen e armatimeve të tilla siç kemi ne në anije. Ne kemi rënë pre e problemeve mes këtyre dy vendeve. Problemi tjetër është ekuipazhi që është në anije, sepse mendojmë se ngarkesa për shkak të temperaturave të larta mund të shpërthejë. Ngarkesa jonë është më e madhe se ajo në Gërdec. Temperatura në hambarin ku ndodhet armatimi, është shumë e lartë dhe si pasojë e temperaturës së lartë mund të shpërthejë. I kemi njoftuar autoritetet këtu, por këta s'e kanë vrarë shumë mendjen, se nuk e kanë idenë se çfarë lloj armatimi ka në anije.
Po autoritetet shqiptare si kanë reaguar?
Me largimin e ambasadorit Admirim Banaj, ambasadori që ka ardhur, vetëm sa na ka përshëndetur një herë dhe nuk ka kontaktuar më me ne. Ambasada shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme ka caktuar një avokat për ne, i cili nëpërmjet konsullit shqiptar në Jemen, ka ardhur dy herë këtu thjesht si kalimtar dhe kërkon lekë nga ambasada shqiptare. Ne kërkojmë që të kontaktojë ambasadori me neve dhe autoritetet jemene, u kalbëm këtu, sepse ne jemi viktima të lojërave politike.
Mendoni se do ju shpallin të pafajshëm?
Nuk e besoj. Ne shpresojmë, por besoj se vështirë se do na shpallin të pafajshëm. Jemi në mëshirë të fatit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›