E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinarët shqiptarë të braktisur në Libi rrezikojnë shëndetin mendor

Flet psikologia Menada Petro, e cila shpjegon gjendjen psikologjike të tyre

Familjarët e marinarëve të anijes “Brustel” që vazhdojnë të qëndrojnë në Libi pa mundur dot të kthehen në atdhe për shkak të kushteve në të cilat ndodhen përjetojnë jo vetëm ankth për fatin e mungesën e gjatë të njerëzve të tyre, por edhe mjaft vështirësi ekonomiko-financiare. Një situatë disi e trazuar reflektohet në bisedat me të afërm të tyre. Gra që kanë arritur edhe të marrin borxhe për të përballuar nevojat e përditshme të familjes së tyre, ndërsa burrat i kanë larg. Marrëdhënia e vështirë që është krijuar mes të punësuarve dhe punëdhënësit të tyre i ka bërë shumë prej familjarëve të heshtin, të mos flasin hapur për gjendjen në të cilën ndodhen. Kanë frikë nga diçka që mund të ndodhë. Por çfarë ndodh me marinarët e bllokuar në Libi prej më shumë se dy muaj? Pedagogia e lëndëve të Psikologjisë së Punës dhe Rehabilitimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Menada Petro, për gazetën hedh më shumë dritë mbi atë që kalojnë marinarët kur bllokohen në porte të huaja, larg familjeve, njerëzve të dashur dhe kur ndihen të braktisur për shkak të rrethanave të shumta që ndikojnë. Rastet e marinarëve të bllokuar nëpër porte për shkak të problemeve financiare, teknike a shkeljes së procedurave detare ndërkombëtare nuk janë të rralla. Brenda këtij viti që ka mbyllur veç tremujorin e tij të parë, marinarët e dy anijeve, një shqiptare dhe një turke kanë kaluar nëpër të njëjtën odise që për të huajt, azerbajxhanas dhe gjeorgjianë, u mbyll mirë me ndërhyrjen në kohë të përfaqësuesve të shtetit të vet dhe negociatat e suksesshme me pronarin e anijes, ndërsa për ekuipazhin shqiptar problemi vazhdon ende të ekzistojë për shkak të një situate komplekse që ka vënë përballë me akuza dhe kundërakuza ekuipazhin dhe pronarin e anijes. Ndërkaq, 11 marinarët vazhdojnë të qëndrojnë në portin e Misuratës me shpresën se në një ditë sa më të shpejtë do të mund të kthehen pranë familjeve të tyre.

“Deti na jep idenë e bukurive, hapësirave pafund, shpirtit të pandrydhur, po në situatën konkrete ai shfaqet i ashpër e me izolimin e marinarëve në “anijen-burg”. Në fakt, nuk është deti fajtori. Kjo është një situatë komplekse ku ndërthuren marrëdhëniet ndërmjet shteteve, kushtet e krizës botërore, politikat dhe procedurat e ndjekura brenda një shteti, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe menaxhimi i konfliktit ndërmjet tyre, sistemi i paqartë i taksave dhe detyrimeve, bota e re dhe vrimat e zeza të marrëdhënieve detare, diplomacia dhe roli i saj, etj. E përballë gjithë këtij kompleksiteti janë individët e mbetur në mes të detit. Në këtë situatë, pjesëtarët e ekuipazhit kanë vetëm njëri-tjetrin dhe kanë ndërprerë lidhjet afektive me pjesën tjetër të jetës së tyre. Pra me pak fjalë, këta individë kanë ndërprerë ose më saktë ua kanë ndërprerë funksionimin normal si qenie sociale. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe pjesën humane, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen marinarët për sa i përket pamundësisë për të pasur para për t’u kthyer te familjet e tyre. Sigurisht, të qenit në grup i ndihmon në këtë situatë. Ata gjenden pak a shumë nën të njëjtat presione dhe u duhet të “luftojnë” me kushtet e këqija të jetesës, me të qenit në një vend të huaj, me ndjenjën e braktisjes, me ndjenjën e pamundësisë për të bërë ndryshime dhe me atë të mospasjes së një ideje se çfarë do të bëhet. Në këtë gjendje, ata të gjithë kanë të njëjtat karakteristika: stres, ankth, presion të brendshëm e të jashtëm, konflikte. Megjithatë, shfaqja e këtyre karakteristikave ndryshon nga një individ në tjetrin, po ashtu dhe mënyra e përjetimit dhe e reagimit.

Ankthi nga ana e tij është një emocion me pasoja të rëndësishme motivacionale sidomos kur individi ndodhet nën një ankth që zgjat. Në momentin kur marinarët janë ndërgjegjësuar për situatën e tyre gjendja e ankthit të lartë ndikon dhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore. Ritmet e zemrës dhe presioni i gjakut rriten, çlirohet adrenalinë, tretja ngadalësohet dhe gjaku largohet nga lëkura. Kur gjendja zgjat, trupi kalon në një stad të dytë, në atë të rezistencës. Personi mendon se e ka në dorë situatën dhe se mund ta kontrollojë atë, po në fakt trupi është në një aktivitet të lartë, si në një gjendje urgjence, ndodhet nën një turbullim të brendshëm. E nëse kjo situatë do të vazhdojë, trupi futet në stadin e rraskapitjes. Në këtë pikë besoj se të gjithë duhet të ndalemi në atë që është më e rëndësishme. Nuk kanë rëndësi shkaqet nga të cilat u krijua kjo situatë dhe as kush e shkaktoi, po të rëndësishëm janë personat që po e jetojnë atë. Gjendja që po kalojnë mund t’i çojë në një çrregullim post-traumatik që karakterizohet nga gjumë i çrregullt, irritime të shpeshta deri në agresivitet. Këto mund t’i shoqërojnë dhe më vonë, prandaj psikologët i japin rëndësi të madhe mbështetjes familjare, të cilën marinarët tanë nuk mund ta kenë dhe u mbetet vetëm të mbështesin dhe t’i japin kurajë njëri-tjetrit”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›