E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kriza kaloi nga dogana

Ecuria Ministri i Financave: 28% rritje të ardhurash. Shifrat, konfuze

Pas dy muajsh rënie të të ardhurave dhe mosrealizim plani, papritur në mars administrata doganore del me rezultat pozitiv, madje 28 për qind më shumë nga parashikimi. Deklarata për rezultatin u dha dje nga ministri i Financave, i cili vlerësoi punën e bërë, si dhe garantoi se tashmë ecuria e rritjes ekonomike iu rikthye stadit të mëparshëm. “Elementi më i rëndësishëm për ekonominë ka të bëjë me rritjen e TVSH-së. Qarkullimi i mallrave të brendshme është rritur me 24.3 për qind”, u shpreh dje ministri Bode. Rezultatet e rritjes duken disi konfuze, pasi asnjëra nga administratat tatimore dhe doganore rezulton pozitive në dy muajt e parë të vitit, ndërsa në mars, ministri deklaron rritje të konsiderueshme. Sipas tij, ka pasur rritje të eksporteve, si dhe importe kryesisht të makinerive dhe pajisjeve. Duke parë datën e deklaratës, 2 prill, pra dy ditë nga përfundimi i muajit mars, atëherë të dhënat e lexuara nga ministri janë operative, pra të përafërta.

Tatimet nga ana e tyre deklarojnë se të ardhurat janë shkaktuar nga dorëzimi i bilanceve me fitime të biznesit. Këto rezultate duket se e kanë entuziazmuar shumë ministrin e Financave si rrallëherë muajt e fundit.

Bode tha se treguesit e fundit ekonomikë shtrojnë përpara skenarë të rinj, madje dhe atë për mosshkurtimin e shpenzimeve buxhetore që qeveria u detyrua të lajmëronte në fillim të vitit si pasojë e gjendjes së vështirë të financave publike.

Të ardhurat për periudhën dymujore qenë 15.1 miliardë lekë, (110 milionë euro), po aq sa patën qenë një vit më parë. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat doganore të publikuara dy ditë më parë, por që tashmë janë fshirë nga faqja e internetit. Qeveria pati programuar të mbledhë 10 për qind më shumë se një vit më parë, por kriza ekonomike ka sjellë rënien e ndjeshme të importeve të disa mallrave të rëndësishëm, gjë që ka shkaktuar edhe një deficit prej rreth 13 milionë eurosh.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›