E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marinetti: Gra, dashuroni heronjtë e verbër!

Futuristi italian brohoret për liritë e gruas: të drejtën e votës, lehtësinë për t'u divorcuar, shfuqizimin e autoritetit të burrit, zhvleftësimin e virgjërisë. Filippo T. Marinetti në shqip me librin "Si t'i joshim gratë", një manifest mbi bukurinë femërore



"Dëgjoj të rebelohet një vashë njëzetvjeçare leshradredhur e me gjinj të vegjël e të rrumbullt, që më bërtet: "unë s'kam defekte". Keni defektin që jeni e përsosur, i përgjigjem.


Për të mos e velur menjëherë mashkullin, ju duhet ta bëni atë të harrojë admirimin absolutisht antiseksual dhe antierotik që ngjall harmonia e formave tuaja. Përballë bukurisë së përsosur të një gruaje, burri njëzet, tridhjetë a dyzetvjeçar, përdor rëndom po atë mërzi që të ngjall muzeu".


Tingëllojnë të huaja këto fjalë në gojën e burrit që i ka thurur vargje të ndjera seksit të bukur, që bëhet copash për sejcilën gjer sa ta fusë në oazin e qejfeve dhe kënaqësive, që ua heq me zor nga krahu gratë profesorëve, filozofëve, burrave të mërzitshëm në sallonet e Parisit, Londrës, Romës, dhe vë kokën në rrezik edhe për hiçmosgjë: mjaft një puthje, apo pak ngacmime të vogla në dhomat e damave.


Ka një problem me vogëlushen që përmendet më lart. Nuk është "gjahu" i preferuar i poetit dhe shkrimtarit italian të 900-ës, themeluesit të futurizmit, lëvizja në kundrarrymë me artet dhe kodet kulturore dhe shoqërore, që i doli kundër sentimentalizmit të thellë dhe romantizmit.


Ky është Filippo Tommaso Marinetti që shpalli se lufta është për t'u adhuruar, po aq sa shpejtësia, zhurma, makinat, qytetet e mëdha. Këto parime dhe rregulla për një njeri që aderon në lëvizjen futuriste, ai i bëri të ditura në "Manifesti Futurist" (Il Manifesto futurista) që e bëri publik në të përditshmen franceze "Le Figarò" më 20 shkurt 1909.


Futurizmi ishte për lirinë e grave, për atë lloj gruaje që nuk i jepet vetëm një mashkulli dhe nuk është fabrikë fëmijësh. Bashkë me një sërë aventurash, joshjesh dhe kënaqësish, Marinetti ia rrëfen këto mikut futurist Bruno Corra, në shtator 1916, përpara se të kthehej në front si vullnetar artilier. Bocat janë korrektuar ndërsa ai gjendej i plagosur në Spitalin Ushtarak të Udines.


Bruno Corra, bashkë me Settimelli-n, kanë lënë shënimet e tyre, kujtime, vlerësime, në librin "S'i t'i joshim gratë" (Ideart, 2010), shqipëruar nga origjinali italisht nga Ilirjana Stringa, një prezantim i vonë për lexuesin shqiptar.


"Mund të duket sikur libri i Marinetti-t që po i paraqesim publikut është një sprovë cinizmi dhe trashamanësie, por askush më mirë se Marinetti nuk i çmon gratë.


Ai e lufton gruan jo për aq sa është, por si produkt i pasionalitetit egoist të mashkullit oriental dhe letërsisë romantike. Jo kundër gruas, por kundër "konceptit grua" krijuar nga ne egoistët, xhelozët, të obsesionuarit, shumë shpesh të paaftë për ta konsideruar si një diçka të rëndësishme, por jo thelbësore dhe mbi të tjerat..." Janë opinione të Corra-s dhe Sentimelli-t për librin.


Po cilës grua gjatë "eksplorimit të tij erotiko-sentimental", i thur lavde futuristi italian pikërisht ai që refuzon pispilluqet, gratë që zvarritin lart e poshtë bukuri natyrore, ato që i quan të pazonjat për kënaqësi? "Kam kërkuar përherë trupin inteligjent", pohon ai, duke shtuar se "inteligjenca e trupit as mësohet e as fitohet". Inteligjencën ai e nuhat tek "lëngështimi i syve, orkestrimi i zërit, mënyra si rregullohen kur ulen në kolltuk apo mbi jastëkët e një shtrati".


Filippo Marinetti është kundër gruas së romaneve të Fogazzaro-s: "frigaçe, e pavendosur, hipokrite, plot brejtje ndërgjegjeje, neutrale, konservatore, reaksionare, dua-nuk-dua, jotja-jo-jotja, ndoshta-nesër-pak, vetëm gjoksin-poshtë jo".


Po edhe kundër gruas së romaneve të d'Annunzio-s: "snobe, fyle, boshe, sipërfaqësore, kulturore, e mërzitur, e zhgënjyer, e obsesionuar nga Parisi; gruaja që për të dashuruar ka nevojë për orkide, për Coty Paquin, Mallarmé, Oscar Ëilde, Vagner, Verlaine, Baudelaire, shëtitje arkeologjike, nostalgji e shkëlqim, sadizëm, e incest".


Nëse nuk hyn as tek të parat, e as tek të dytat, dhe zotëron inteligjencën e trupit, hijeshisë, joshjes, dashnori orator Marinetti, do hiqet zvarrë më keq se një Kazanovë për ta futur në shtrat. Është një dashnor që rri e studion në detaje truket e joshjes, ato që e trullosin direkt "gjahun".


Ai është i kujdesshëm edhe për ngjyrat e kolltukëve, stilin e mobiljeve, dritave, fjalët, tonin e zërit, frymëmarrjen, vitalitetin e muskujve. Pas këtyre, e ka fitoren të sigurt. Gruaja shpejt do të jetë e tija me gjithë shpirt, e do mallkojë zotat për ligësinë e tij të pashoqe.


Gruaja dhe lufta

"Gruaja që nuk ndërron mashkull shëmtohet para kohe, shkatërron fuqinë e saj magnetike seksuale dhe kontribuon në fëlligështimin e racës". Ky është principi bazë i Marinetti-t mbi lirinë seksuale të gruas që e sheh barabar me burrin.


Ndërsa xhelozia është një sëmundje e tejkaluar, e shpifur, mizore, një specialitet italian, fatkeqësisht, dhe e mashkullit mesdhetar që e ndjen thellë gruan, ndryshe nga nordiku, gjermani, holandezi. Edhe "lufta provon se gruaja ka nevojë për bashkim të përditshëm seksual". Dhe nuk është vetëm e ushtarit që ndodhet në front, por edhe e dezertorit, e të liruarit.


"Lufta duke krijuar në gjithçka e tek të gjithë ndjenjën e të përkohshmes, të paqëndrueshmes dhe të harrueshmes, shkatërron tek gruaja turpin dhe fjalën e dhënë, e fton në rinovim të shpejtë të zemrës dhe shqisave."


Kështu e çliron gruan nga tabutë Marinetti, ky futurist i betuar për luftë. "Një grua e bukur s'mund të ketë për dashnor veçse një ushtar të armatosur gjer në dhëmbë, që vjen nga fronti dhe niset për në front. Këmbalet, mamuzet, dhe rripat e supit janë themelore në dashuri".


Të drejtat e gruas


Brohoret për gruan e fortë, guximtare, të pavarur, që ka njëlloj të drejta me burrin: "të drejtën e votës, shfuqizimin e autoritetit të burrit, lehtësinë për t'u divorcuar, zhvleftësimin e virgjërisë, talljen sistematike dhe këmbëngulëse të xhelozisë. Dashurinë e lirë".


Bashkëkohësit e Marinetti-t i kanë quajtur idetë e tij rinovuese dhe rregulluese të vendit të gruas në Italinë e pasluftës. Corra dhe Sentimelli pohojnë: "Me anë të këtyre faqeve synohet të vihet në vendin e duhur gruaja dhe fenomeni seksual në përgjithësi.


Sikur koncepti marinettian të shpërhapej në vendin tonë të të dhunshmëve dhe të apasionuarve, jeta jonë shoqërore do të çlirohej nga një armik i rrezikshëm, pengues i çdo zhvillimi, i çdo risie, i çdo heroizmi, burim shthurjesh dhe përplasjesh të pandreqshme mes burrave".


Marinetti futurist

Marinetti pati besim të patundur në idetë e tij dhe të bashkëkohësve futuristë, duke mos patur frikë t'i bëjë ato absolute dhe t'i mbrojë me zjarr. Ja deri ku shkon besimi i tij: "Feja jonë futuriste e shpejtësisë, në bashkëpunim me luftën, e shndërron rrënjësisht njeriun".


Po kush është burri që themeloi këtë lëvizje dhe mbroi me zjarr lirinë e grave?
Filippo Tomasso Marinetti u lind në Aleksandri, Egjipt, më 1876 dhe vdiq më 1944 në Itali. Ndërsa shpallte lindjen e futurizmit, jepte kontribut në Italinë e kësaj periudhe si poet, romancier, dramaturg.


Më 1918 themeloi Partinë Futuriste dhe një vit më vonë, Benito Mussolini e bëri anëtar të Partisë Fashiste Italiane, forcë politike që më vonë Marinetti e kundërshtoi dhe e quajti reaksionare. Deri në këtë kohë kishte botuar përmbledhjet me poezi "Destrucion", 1904 dhe "La ville charnelle" 1908, poemën "La momie sanglante" 1904.


Pas botimit të "Manifestit", prezantoi vëllimin "Mafarka il Futurista", dramën satirike "Le Roi Bombance" 1910. Më 1915, bashkë me Bruno Corra-n dhe Emilio Setimelli-n botojnë "Teatro Sintetico Futurista" dhe një vit më vonë vjen libri "Come si seducono le donne". Shkrimet e tij në vitet 1919-1927 u frymëzuan shumë nga politika.


Në këtë kohë boton "Democrazia futurista" (1919), "Al di lá del comunismo" (1920), "Futurismo e fascismo" (1924), dy dramat "Vulcano" (1926), "Prigionieri" (1927), "Marinetti e il futurismo" (1929).


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›