Skandali me fëmijët, drejtoresha: Ka pasur keqinterpertime

GJIROKASTËR/ Teuta Zhulla është shprehur se fëmija i denoncuesit nuk është trajtuar asnjëherë si fëmijë me aftësi të kufizuara. Prokuroria nis verifikimet për ngjarjen: S'kemi të pandehur
GJIROKASTËR -Pesë ditë pas kallëzimit penal të Virion Graçit për përfshirjen fiktive të djalit të tij 6- vjeçar në programe specifike të trajtimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, drejtoresha e kopshtit "Cicërimat" shprehet se fëmija 6-vjeçar nuk ka qenë asnjëherë me aftësi të kufizuara. Ndërkohë mësohet se prokuroria e Gjirokastrës ka nisur shqyrtimin e materialeve në lidhje me këtë çështje.
Gjithashtu, pritet mbërritja edhe e një grupi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i ngritur posaçërisht për zbardhjen e këtij problemi. Burime nga organi i akuzës në Gjirokastër kanë bërë të ditur se pas marrjes së kallëzimit penal nga ana e shtetasit Virion Graçi, kallëzim i bërë në datën 15 prill, në dispozicion të Prokurorisë janë vendosur materialet që lidhen me këtë projekt.
Materialet do të jenë pikërisht ato që do të hedhin dritë mbi faktin se është konsumuar ose jo një vepër penale. "Pas shqyrtimit të materialeve, nëse ka precedentë penalë, do të hapet dosja dhe do të kryhen të gjitha hetimet për këtë çështje", kanë bërë të ditura burimet.
Në kallëzimin e vet, Virion Graçi, prindi i një djali 6-vjeçar që prej 3 vitesh frekuenton kopshtin "Cicërimat" akuzon drejtoreshën e kopshtit, Teuta Zhulla, se ka përfshirë djalin e tij në një program specifik të trajtimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, ndërkohë që djali është plotësisht i shëndetshëm mendërisht.
Gjithashtu ai akuzoi se për këtë gjë nuk ishin informuar prindërit. Mësohet se edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ngritur një grup pune, që pritet të mbërrijë në Gjirokastër për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin në lidhje me këtë çështje.
Drejtoresha e kopshtit
Drejtoresha e kopshtit "Cicërimat", Teuta Zhulla, e akuzuar nga prindi, shprehet se fëmija 6- vjeçar nuk është trajtuar asnjëherë si fëmijë me aftësi të kufizuara dhe se ky term është keqinterpretuar.
Sipas saj, në fillimet e veta në kopsht fëmija ka shfaqur probleme në moskomunikimin dhe angazhimin me fëmijët e tjerë dhe për këtë fakt shpeshherë është diskutuar me prindërit.
Para 3 vjetësh ka ardhur një ekip nga Tirana, mjeke, psikologe, të shoqëruara nga një drejtuese e Drejtorisë Arsimore Rajonale, që kanë bërë vlerësimin e fëmijëve, në kuadër të projektit të gjithëpërfshirjes, që ka të bëjë me ndihmesën që do të jepte aplikimi i këtij projekti për anën profesionale dhe punën tonë me fëmijët.
U bënë këto vlerësime nga mjekja dhe psikologia, u lanë detyrat dhe mbi bazën e këtyre detyrave ne hartuam planet edukative individuale, që përcaktoheshin mbi bazën e gjendjes së fëmijës, çfarë problemi kishte fëmija, pikat e forta, pikat e dobëta, objektivat dhe strategjitë që do të ndiqnim.
Pa të drejtë është interpretuar keq si fëmijë me probleme mendore apo aftësi të kufizuara. Me këtë term është abuzuar pak, sepse këtu hyjnë fëmijë siç është rasti në fjalë ku ky fëmijë ka pasur probleme motorike emocionale, pasi tani nuk ka më dhe vetëm për këtë arsye është bërë ky plan individual për të.
Për fëmijën në fjalë ngaqë kanë qenë momentet e para të tij, nuk atashohej me shokët e tij, nuk komunikonte, nuk shprehte asnjë ndjenjë emocionale dhe këto kanë qenë pikat e dobëta.
Absolutisht jam e sigurt që edhe prindërit do ta pohojnë këtë gjë, pasi ishin të dyja palët që komunikonin për këtë gjendje, që ishte me vështirësi, por interpretimi i keq i termit "Aftësi e Kufizuar" është ajo që bëri gjithë këtë zhurmë, sepse ne në programet tona kemi trajtime individuale për fëmijë me nevoja të veçanta dhe këtë gjë e kam bërë prezente edhe në takimet me prindërit, po nuk e kuptoj pse është keqinterpretuar. Ky problemi i përshtatjes, i shprehjes me fëmijët e tjerë ka qenë komunikim i vazhdueshëm me prindërit e fëmijës", është shprehur drejtoresha Zhulla.
Ndërkaq, ajo ka pohuar se prindërit nuk janë informuar në lidhje me ekzaminimin që i është bërë fëmijës së tyre. "Nëse do të bënim bashkë konkluzionet e specialistes dhe atë që kanë bërë mësueset në përshtatje me to janë të njëjtat gjëra. Pra, fëmija nuk është trajtuar si fëmijë me aftësi të kufizuara, sepse ky term ka shumë kategori.
Ne vazhdimisht për këto probleme kemi folur me prindin, por është e vërtetë që nuk është njofuar që ky fëmijë është vlerësuar nga ekipi i lartpërmendur. Por, për këtë them që është më mirë të presim konkluzionet e DAR-it apo MASH-it për të zbuluar se ku qëndron defekti dhe se kush është personi përgjegjës që nuk e bëri këtë", ka theksuar më tej drejtoresha.
Kopshti "Cicërimat" në qytetin e Gjirokastrës frekuentohet nga rreth 70 fëmijë, të ndarë në tre grupe. Rasti u denoncua tre ditë më parë në gazetën "Shekulli" çka bëri që vetëm një ditë më pas DAR të mblidhej në një takim urgjent.