E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, organizohet dita e kulturës zvicerane

DURRËS- Kultura zvicerane ka qenë e pranishme sot në Durrës përmes një veprimtarie të organizuar në pallatin e kulturës Aleksandër Moisiu.

Në fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë Yvana Enzler vlerësoi bashkëpunimin e bibliotekës së Durrësit në organizimin e kësaj veprimtarie, e cila mbërrin në qytetin antik pas Beratit dhe Fierit. Ajo shtoi se që prej 17 vitesh në vendin tonë janë realizuar një sërë programesh në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me organizma të ndryshëm lokalë.

Të pranishmit ndoqën me shumë interes referimet mbi letërsinë zvicerane dhe rolin e teatrit në shoqërinë e këtij vendi, si dhe mbi përkthimet në gjuhën shqipe të veprave të romancierit të madh Max Frish, trajtuar nga specialistët e bibliotekave Flora Dervishi, Enton Bido dhe Teuta Dhima.

Drejtori i Kooperacionit zviceran në vendin tonë Daniel Zust tha se Zvicra dhe projektet e mbështetura prej saj kanë mbërritur në Shqipëri që në vitin 1994. "Ne po zbatojmë aktualisht programin e përbashkët mbi arsimin profesional të emërtuar AlbVet, që është shtrirë thuajse në të gjitha qarqet"- tha më pas ai.

Mbi bashkëpunimin në fushën e trajnimeve profesionale foli më pas edhe drejtori i Swiss kontakt më qendër në Durrës, Matthias Jager.

(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›