Markert: Legjislacioni shqiptar, brenda standarteve

Thomas Markert, sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, ka folur mbi kontributin, që ky komision mund të japë në kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri.
“Komisioni i Venecias është organi kryesor këshillimor për çështjet zgjedhore i Këshillit të Europës. Ky komision u jep në mënyrë sistematike mbështetje për legjislacionin zgjedhor, së bashku me OSBE-në dhe ODIHR-in, kryesisht vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe vendeve të tjera si Mbretëria e Bashkuar, apo Norvegjia. Lidhur me praktikat zgjedhore ekspertët e Komisionit të Venecias japin rregullisht mbështetje Komisioneve Qëndrore të Zgjedhjeve dhe marrin pjesë në takimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për çështjet zgjedhore”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, Markert thekson se Komisioni i Venecias ka dhënë opinione të përgjithshme për legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë që nga fillimet e viteve `90- të, duke përmendur këtu kontributin më të fundit, atë të vitit 2009. Sipas tij, ky komision ka realizuar edhe trajnime të ndryshme dhe ekspertët e tij kanë asistuar në KQZ-në e Shqipërisë në situata të vështira, ku më e fundit i takon zgjedhjeve lokale të 8 majit, të këtij viti.
“Autoritetet shqiptare kanë marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme dhe prandaj legjislacioni zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standartet europiane. Problemi kryesor në Shqipëri është qëndrimi, sjellja e kandidatëve me njëri tjetrin. Ky është një problem, që lidhet me kulturën e njerëzve dhe është tipar i demokracive të reja, siç është edhe demokracia në Shqipëri. Nuk është e mjaftueshme të kesh rregulla të mira, por t`i zbatosh ato me korrektësi”, nënvizoi ai.