E Shtunë, 31 Tetor 2026

Markert: Nevojiten shtesa në Kodin Elektoral

Thomas Markert, sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, ka folur mbi kontributin, që ky komision mund të japë në kryerjen e reformës zgjedhore në Shqipëri. Në një intervistë të dhënë për DW, ai ka deklaruar se nevojiten shtesa në Kodin Elektoral për situata të veçanta.
 

“Kodi Elektoral i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standartet europiane. Por mendoj se është e nevojshme të bëhen adaptime të tjera për t`iu përgjigjur situatave të veçanta dhe për të qartësuar më tej disa rregulla, duke marrë në konsideratë zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të mëparshmet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Gjithsesi është herët për të thëne që tani, se cilat do të jenë dispozitat, që kërkojnë përmirësim. Ajo, që mund të them tani, është që përbërja dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore dhe procesi i numërimit të votave janë ato pjesë, ku duhen bërë adaptime dhe për të cilat Komisioni i Venecias do të shprehë opinionin e tij”, informoi Markert.
 

Përsa i përket Reformës Zgjedhore, sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, u shpreh se mandati i tyre është të sugjerojnë përmirësime në legjislacionin dhe në procesin zgjedhor, pra në praktikë.

“Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë filluar të studiojnë dokumentat e ndryshme lidhur me zgjedhjet e 2009 dhe ato lokale të 8 majit. Më pas në Shqipëri do të vijë një delegacion i Komisionit të Venecias, ka të ngjarë të vijë aty nga gjysma e dytë të Tetorit për të identifikuar problemet dhe parë se çfarë zgjidhjesh janë të mundshme. Më 16- 17 dhjetor Komisioni i Venecias do të paraqesë dhe do të argumentojë opinionet e tij lidhur me përmirësimet, që i duhen bërë Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Pas kësaj varet nga pala shqiptare për të realizuar rekomandimet dhe zgjidhjet e propozuara nga Komisioni i Venecias”, vijon Marker, për të shtuar se procesi duhet të jetë përfshirës dhe i mbështetur në një konsensus të gjerë politik.
 

Ndër të tjera, Markert thekson se Komisioni i Venecias ka dhënë opinione të përgjithshme për legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë që nga fillimet e viteve `90- të, duke përmendur këtu kontributin më të fundit, atë të vitit 2009. Sipas tij, ky komision ka realizuar edhe trajnime të ndryshme dhe ekspertët e tij kanë asistuar në KQZ-në e Shqipërisë në situata të vështira, ku më e fundit i takon zgjedhjeve lokale të 8 majit, të këtij viti.
 

“ Autoritetet shqiptare kanë marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme dhe prandaj legjislacioni zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standartet europiane. Problemi kryesor në Shqipëri është qëndrimi, sjellja e kandidatëve me njëri tjetrin. Ky është një problem, që lidhet me kulturën e njerëzve dhe është tipar i demokracive të reja, siç është edhe demokracia në Shqipëri. Nuk është e mjaftueshme të kesh rregulla të mira, por t`i zbatosh ato me korrektësi”, nënvizoi ai. Po ashtu, Markert theksoi se Komisioni i Venecias nuk u përfshi në periudhën, që pasoi ditën e zgjedhjeve, pasi vendimet do të merreshin nga Kolegji Zgjedhor, që është një organ i drejtësisë, një organ gjyqësor. Dhe sipas tij, Komisioni i Venecias nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore, nëse kjo nuk i kërkohet nga Kolegji Zgjedhor.
 

“Jam i ndërgjegjshëm se konsensusi politik në Shqipëri është shumë i vështirë. Dhe kjo është edhe arsyeja pse organizma ndërkombëtare si Komisioni i Venecias përfshihen, por në fund të fundit arritja e tij mbetet në dorë të aktorëve politikë vendas. Komisioni i Venecias mezi pret për të dhënë kontributin e tij në progresin demokratik në Shqipëri. Komisioni i Venecias dha kontributin e tij në adaptimin e Kushtetutës në 1998, që mendoj së përbën një nga sukseset e mëdha të Komisionit të Venecias. Ne shpresojmë që ky komision do të kontribojë në përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të klimës politike në Shqipëri”, vlerëson sekretari i Komisionit të Venecias.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›