Marko Kepi: Si e organizova paradën shqiptare në New York
Nga korrespondentja jonë në New York,
Eljona Marku
Marko Kepi, është një nga ata shqiptarët e rrallë që vërteton që SHBA-ja mund të jetë vërtetë toka e ëndrrave. Pasi ai ka realizuar gjithçka atje, duke u bërë një ndër shqiptarët më të famshëm duke kontribuar për çështjen shqiptare në diasporë. Si drejtues i organizatës Patriotike “Rrënjët Shqiptare ai organizoi edhe paradën e famshme shqiptare të këtij viti në New York. Por Kepi nuk ndalet me kaq. Duke qenë aktivist i Partisë Republikane në New York, dhe duke pasur një mbështetje të mëdha nga shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm, ai në vitin 2016 do kandidoj për republikanët në senatin e New York-ut.
Për të gjithë lexuesit e “Tirana Observer” shkurtimisht kush është Marko Kepi?
Lindur në Shkodër dhe rritur në Nju Jork aktualisht president dhe themelues i organizatës Patriotike “Rrënjët Shqiptare” në Nju Jork që nga viti 2009. Kam mbaruar studimet e larta në universitetin “John Jay” në Manhatan për Shkenca Politike dhe Media të Lire dhe aktualisht po vazhdoj MBA për Ekzekutiv të Lartë”. Gjithashtu aktivist i denjë politik i Partisë Republikane dhe krijues i klubit të së njëjtës parti në Universitetin “John Jay” mbështetës të cilit janë shumë politikanë amerikanë si: ish kongresmeni shqiptaro-amerikan Joseph DiGuardi, senatori Marti Golden, ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Juliani dhe shumë të tjerë.
Si lindi ideja për Albanian roots (Rrënjët Shqiptare)?
Në vitin 2008 takohem rastësisht me Ervin Toro në Paradën Shqiptare, dhe nga ai moment u bëmë të pandarë. Bashkë me Ervinin vendosëm të themelonim organizatën jofitimprurëse “Rrënjët Shqiptare”. Me ndihmën e ish kongresmenit Joseph J. DioGuardi arritëm fatmirësisht aty ku jemi edhe sot. Arsyeja përse themeluam këtë organizatë ishte fillimisht personale, patriotike dhe dëshira për të ruajtur emrin shqiptar, traditat dhe zakonet në këtë komunitet gjigand ku popullsitë e tjera botërore krahasuar me atë shqiptare ishin për të lënë mëshirë. Organizatës dhe paradës i nevojiteshin vullnetarë dhe drejtues zyrtar të njohur nga Shteti Amerikan. Ky ishte edhe fillimi i një aventure dhe sakrifice të madhe për të ngritur emrin e Shqipërisë lart në Nju Jork dhe anembanë Amerikës. Parada e parë nën emrin “Rrënjët Shqiptare” u organizua në 2009. Bashkë me Ervinin edhe disa të rinj vullnetarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia u bë i mundur parakalimi i parë zyrtar. Vështirësitë ishin të shumta sidomos ato financiare. Mungesa e vullnetarëve, përkrahësve, parullave përkatëse, etj, bënë të dukej gjithçka komplet e varfër por dëshira për të vazhduar ishte intriguese.
23 Qershori i këtij viti flitet që ishte ndër më të suksesshmit ndër vite. Shumë figura të artit dhe politikës morën pjesë. Çmund të na thoni për këtë event?
Parada e këtij viti ishte një ndër sukseset me të mëdha të “Rrënjëve Shqiptare” falë 10 mijë shqiptarëve që u mblodhën në simbol të Atdheut. Kjo paradë ju dedikua 100 vjetorit të pavarësisë dhe sidomos çështjes çame. Shumë figura të njohura morën pjesë për të festuar si: Presidenti i Partisë Çame Tahir Muhedini, Frederik Ndoci, i cili vjen për të dytin vit radhazi nga Shqipëria dhe gjithashtu një mbështetës themelor i kësaj organizate dhe parade. Lirie Dedvukaj nga Michigan, Drita D’Avanzo nga seriali i njohur televiziv “Mob Wifes”, Hakik Mena, Shenasi Rama, Valentina Spaho, Valentina Ajdari, Tony Dovolani nga “Dancing with the Stars”, si dhe politikani i njohur amerikano-shqiptar Mark Gjonaj kandidat për asamblenë e Nju Jorkut këtë vit e shumë e shumë të tjerë.
Flitet që merreni me politikë në Nju Jork dhe pikërisht si përkrahës i Republikanëve. Sa rëndësi ka politika në karrierën tuaj?
Po jam absolutisht shumë i dhënë pas politikës dhe dëshirën time për politikë e kam shfaqur që në moshën 16 vjeç. Në shkollë të mesme drejtori i shkollës Valley stream Clifford O’Deal diktoi pasionin tim për fjalime të ndryshme përpara organizatave politike që organizoheshin në atë kohë në shkollë. Pas kësaj në universitet themelova klubin e partisë Republikane John Jay Republicans klubi më i famshëm në Nju Jork pas asaj të NYU. Pastaj në fushatatat republikane ku unë kam dhënë ndihmën time nga Rudi Juliani për President, Joseph DiGuardi për senator Amerikan dhe Michel Blumberg për Nju Jorkun rritën eksperiencën time në politikë si pjesëmarrës dhe aktivist zyrtar për organizata të ndryshme. Tashmë në planet e mija si republikan janë kandidimi për senat në Staten Island Nju Jork ku komuniteti shqiptar ka një popullsi të madhe premtuese. 2016 besoj të jetë edhe viti i kandidimit tim zyrtar.
Vizita juaj e fundit në Shqipëri u shoqërua me takime të ndryshme zyrtare politike? Çmund të na thoni rreth kësaj vizite?
Qëllimi i vizitës time në Shqipëri ishte në emër të organizatës së “Rrënjëve Shqiptare” dhe ngritjes së fondeve për paradë zyrtare në Nju Jork për 100 vjetorin e pavarësisë dhe gjithashtu asaj Çame. Takime të rëndësishme mund të përmend si atë Tahir Muhedinin, zonjën Jozefina Topalli, dhe Princi Leka, i cili fatkeqësisht nuk mundi të ishte pjesëmarrës i paradës 2012 për arsye se ishte i ftuar nga familja mbretërore suedeze që përkonte në të njëjtën datë me paradën. Gjatë kësaj vizite arritëm të merrnim fonde të mjaftueshme nga Tahir Muhedini të cilin gjej rastin ta falenderoj publikisht.
Dhe së fundmi Marko, ku e shihni veten në politikë në të ardhmen. është politika shqiptare në planet tuaja afatgjatë?
Politika ime ka vazhduar në Nju Jork por dëshira e madhe është të përdor politikën e Shteteve të Bashkuara gjithnjë në favor të asaj shqiptare. Ndikimet e mia politike për të ndihmuar gjithë shqiptarët anembanë ka qenë dhe do vazhdojnë me ritme të mëdha . Mund të them se dëshira për tu marrë me politikë në Shqipëri është gjithashtu një plan dhe ëndërr më vete.