Zgjedhjet e 2013-ës, Edi Rama takim me Ben Blushin në Korçë
Opozita bëhet gati të ndezë motorët e një fushate masive e komplekse, në prag të sezonit të ri parlamentar e që i paraprin vitit elektoral 2013. Në qytetin juglindor të Korçës kryetari socialist Edi Rama ka mbledhur njerëzit me të rëndësishëm të selisë rozë, si Ruçi, Xhafaj, Veliaj, Bushati, Beqja, Blushi etj, për të diskutuar mbi strategjinë që do të ndjekë opozita nga shtatori e në vijim. Burime zyrtare nga takimi thanë se tryeza që zhvillohet në Korçe nuk është një forum statusor si asambleja apo kryesia e PS, por është një takim pune i cili do të marrë në analizë të gjitha çështjet më të rëndësishme me të cilat pritet të përballet partia më e madhe opozitare që nga shtatori e deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin tjetër. Zyrtare të PS pohuan gjithashtu se diskutimi do të përfshijë tre drejtime: strategjia që opozita do të ndjekë në parlament, angazhimi i të gjitha strukturave të PS nga qendra në bazë për vitin elektoral si dhe angazhimi për të përfshirë në trenin e koalicionit të majtë, çdo faktor opozitar. E gjithë kjo analizë dhe vendimmarrje do të ketë në fokus fushatën e madhe për zgjedhjet e vitit 2013 që ndonëse janë larg nga hapja zyrtare, mund të quhet e hapur tashmë nga forcat më të mëdha. Drejtues të PS pohuan për Vizion Plus se çdo vendim që shqyrtohet në takimin dy ditor në Korçë do të jetë pjesë e axhendës politike të Partisë Socialiste dhe sipas rastit pritet të kalojë dhe në forumet më të rëndësishme të PS.