Marku: Ndryshimet në Qeveri kundër logjikës politike, është koha për një akt rithemelimi të PD

Deputeti i PD, Mark Marku
Deputeti i PD flet për qeverinë, koalicionin dhe të djathtën.
Noka u shpërblye për përkushtimin ndaj PD e Berishës. Haxhinasto e Panariti, sipas parimit askush në vendin e vet
Marku: Berisha e Meta, përgjegjës që propozuan ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit për President.
Mark Marku i konsideron pa logjikë politike ndryshimet e fundit në qeveri nga LSI dhe zëvendësimin e Nishanit me Nokën nga Berisha. Në një intervistë të tij për Panorama, Marku shfaqet kritik ndaj filozofisë së ndërtimit të qeverisjes prej dy liderëve kryesorë të koalicionit, ku askush nuk emërohet në vendin e vet.
Deputeti i PD analizon marrëdhëniet e PD me koalicionin, thotë se e djathta po humb përfaqësimin brenda PD dhe hedh idenë e një akti rithemelimi të kësaj partie.
Z.Marku, me gjithë zërat brenda maxhorancës që kanë kërkuar rifreskim të kabinetit qeveritar para zgjedhjeve të 2013-s, Kryeministri Berisha iu përgjigj me zëvendësimin vetëm të z.Nishani me z.Noka në Ministrinë e Brendshme. Po ashtu pati një rokadë emrash në ministritë që i takojnë LSI. Si i konsideroni këto zhvillime pas zgjedhjes së Presidentit?
Flamur Ndoka është një funksionar i përkushtuar partiak dhe nuk më duket çudi pse ai është shpërblyer për përkushtimin ndaj PD-së dhe kryetarit të saj, zotit Berisha. Problemi nuk qëndron tek emrat, por te logjika apo filozofia e ndryshimeve. Ndryshimet që bëhen në vitin e fundit të qeverisjes, bëhen për dy arsye. E para, për të treguar se një maxhorancë nuk e ka humbur forcën e reagimit, se e ka ende aftësinë për të analizuar vetveten dhe se e ka vullnetin për tu vetëkorrigjuar. E dyta, për të treguar profilin politik të së ardhmes. Ndryshimi i fundit nuk i përgjigjet një logjike të tillë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndryshimet e bëra nga LSI. Janë ndryshime emrash, jo rikonceptim i qeverisjes. Madje ato rikonfirmojnë edhe një herë një parim të liderëve shqiptarë për sa i përket shpërndarjes së ofiqeve: askush në vendin e vet. Haxhinasto, i cili ka një formim në fushën e shkencave humane, shkon ministër i Ekonomisë, Panariti, i cili ka një formim ekonomik, shkon në Ministrinë e Jashtme e kështu me radhë. E njëjta gjë është ndeshur edhe më parë, kur ka ndodhur që aktori të bëhet ministër i Mbrojtjes, e jo i Kulturës, inxhinieri, ministër i Kulturës e jo ministër i Ekonomisë, ushtaraku, ministër i Drejtësisë… Edhe pse posti i ministrit është funksion politik, do të ishte mirë që kur është e mundur dimensioni politik dhe teknik të kombinohen. Shoh pak logjikë politike në këto emërime, për të mos thënë se ato shkojnë edhe përkundër logjikës politike. Mendoja se Kryeministri Berisha, tashmë i pakushtëzuar nga numrat në Parlament, mund të bënte ndryshime më konceptuale.
Maxhoranca sapo zgjodhi vetëm me votat e saj Presidentin e Republikës, një ministër të kabinetit, z.Bujar Nishani. Tani që procesi ka përfunduar, si e gjykoni rezultatin e saj dhe a mendoni se ky rezultat e favorizon të djathtën një vit para zgjedhjeve të 2013-s, kur PD do të kërkojë një mandat të tretë për të qeverisur vendin?
Siç u pa edhe gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit, aktorët kryesorë të politikës shqiptare kishin ardhur drejt këtij momenti politik me objektiva të përkundërt. PS dhe aleatët e saj synonin ta bënin të pamundur zgjedhjen e Presidentit, duke e çuar vendin në një krizë politike që do të sillte përçarjen dhe rënien e maxhorancës. Qëllimi kryesor i PD-së ishte zgjedhja e Presidentit dhe dështimi i këtij skenari, ndërsa LSI kishte si qëllim faktorizimin e vet nëpërmjet rolit që do të luante në dështimin apo suksesin e njërit apo tjetrit variant. Është e qartë se finaliteti i lojës politike presidenciale nuk ishte Presidenti në vetvete, por zgjedhja apo moszgjedhja e tij. Berisha u dëshmua edhe një herë lojtar më virtuoz se të tjerët, duke përfituar dyfish nga ky proces: zgjodhi Presidentin dhe konfirmoi koalicionin. Meta jo më pak.
Por, edhe pse procesi ishte tërësisht kushtetues dhe solli në krye të institucionit të Presidencës një figurë të nderuar si zoti Nishani, mendoj se secila palë ka humbur nga pak. Zoti Rama ka humbur rastin për të dëshmuar se përveç refuzimit (të natyrshëm për çdo opozitë), di të bëjë edhe gjëra të tjera, si p.sh. të japë zgjidhje alternative për vendin. Zoti Meta vërtet u faktorizua politikisht, por, edhe pse refuzoi kandidaturat me profil të fortë politik dhe e orientoi procesin e zgjedhjes së Presidentit drejt profileve të ardhura nga shoqëria civile, në fund votoi po një kandidaturë politike. Zoti Berisha e mbylli procesin e zgjedhjes së Presidentit pa krizë politike, por, me zgjedhjen e Nishanit, ai nuk ka arritur tu përgjigjet pozitivisht kërkesave të faktorit ndërkombëtar, i cili bëri jo pak përpjekje për të potencuar një kandidaturë që nuk vinte nga radhët e figurave politike të partive. Nga ana tjetër, edhe pse ka zgjedhur një figurë që respektohet jo pak brenda formacionit të vet politik, ai ka krijuar edhe një herë tjetër një problem të karrierës brenda PD-së, meqenëse zoti Nishani ishte më pak i kuotuar politikisht si kandidat për President sesa disa figura të tjera të PD-së, që realisht kishin më tepër peshë përfaqësimi real, institucional, politik dhe simbolik se zoti Nishani.
Dy kandidatë jashtë politikës dhanë dorëheqjen nga kandidimi për postin më të lartë të shtetit për shkak të dyshimeve për të kaluarën e tyre. Ju keni deklaruar vazhdimisht se duhet të hapen dosjet e ish-Sigurimit si një zgjidhje morale për shoqërinë. Mendoni se kjo ide është aktuale dhe sot e se maxhoranca duhet ti japë një zgjidhje kësaj çështjeje?
Ajo që ndodhi me tërheqjen e kandidaturave për President të paraqitura nga maxhoranca, është shumë e rëndë e tregon edhe një herë domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve. Nuk e kuptoj pse një gjë e tillë nuk merret seriozisht. Fakti që kandidatët për presidentë u shantazhuan, tregon se ata mund të shantazhoheshin edhe pasi të zgjidheshin në postin e Presidentit të Republikës. Mendoni një President që është i kushtëzuar në një formë të tillë. Presidenti ka në dorë vendime dhe informacione të rëndësishme për fatet e qytetarëve dhe të vendit dhe nëpërmjet shantazheve ato mund të ktheheshin në të kundërt të qytetarëve. Nuk duhet harruar gjithashtu se ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit mund të jenë ose mund të bëhen ministra, deputetë, diplomatë, funksionarë të lartë të shtetit dhe kjo e bën vulnerabël vetë shtetin shqiptar. Për këtë arsye është jetike për vendin që të hapen dosjet, sepse duke u hapur dosjet së pari, ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit fitojnë lirinë e tyre, së dyti, vetëm atëherë Sigurimi i shtetit pushon realisht së funksionuari dhe, së treti, institucionet e shtetit shqiptar nuk mund të jenë të shantazhuara dhe të shantazhueshme. Ajo që ndodhi gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit është e çuditshme, irrituese dhe i ngarkon me përgjegjësi propozuesit e tyre. Zoti Berisha si ish-president dhe Kryeministër, zoti Meta si ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm duhet ta kenë ditur implikimin apo mosimplikimin e secilit prej kandidatëve në Sigurimin e Shtetit, sepse njëri prej tyre ka qenë ambasador dhe tjetri ministër. Atëherë, pse u gjetën pikërisht ata?
Me zgjedhjen e Nishanit në postin e Presidentit, e djathta kontrollon për herë të parë të gjitha postet kyçe të shtetit në Shqipëri duke filluar nga kreu i shtetit e deri tek Bashkia e Tiranës. A është i drejtë ky konstatim dhe si duhet ta trajtojë PD këtë debat në opinionin publik në funksion të një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme?
Sistemi politik shqiptar, por jo vetëm ai shqiptar, i vë shpe