E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marnhac edhe katër muaj në krye të EULEX-it

Gjenerali francez, Xavier Bout De Marnhac, pritet që t`i vazhdohet mandati në Kosovë edhe për katër muaj, bën të ditur “Koha Ditore”.

Burime të gazetës kanë bërë të ditur se Komiteti për Politika dhe Siguri i BE-së pritet që brenda pak ditësh të bëjë zyrtar vendimin që gjeneralit francez t`i zgjatet qëndrimi në Kosovës edhe për katër muaj.

Sipas zyrtarëve të BE-së kjo do të bëhet me qëllim që shefi i ri i misionit të emërohet vetëm pasi që të jetë rikonfiguruar i tërë EULEX-i që duhet të ndodhë më 15 qershor. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së Catherine Ashton, Maja Kocijançiç.

Që nga 15 qershori i këtij viti maksimumi i stafit ndërkombëtar të EULEX-it do të jetë 1.250 pjesëtarë dhe 1.000 pjesëtarë lokalë. Deri më tani, EULEX-i ka pasur rreth 1 mijë e 950 ndërkombëtarë dhe 1 mijë e 200 të punësuar lokalë. Po ashtu për vitin e parë të mandatit të ri EULEX-i do të ketë në dispozicion një buxhet prej 111 milionë eurosh.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën se vendimi për zgjatjen katër muaj të mandatit të Marnhac është marrë papritmas. Shefi i EULEX-it qe njoftuar muaj më parë se mandati i tij do të përfundonte më 15 qershor të këtij viti.

Një konkurs për emërimin e shefit të ri kanë nisur dhe burime të gazetës kanë shpjeguar se kandidati më potencial për të marrë udhëheqjen e EULEX-it ka qenë një zyrtar nga Polonia. Sidoqoftë, emërimi i shefit të ri është pezulluar për katër muaj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›