Marrëdhëniet Izrael-SHBA, më të këqijat në 35 vjet
Ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, bëri të ditur dje se marrëdhëniet mes të dyja vendeve ndodhen në pikën e tyre më të ulët të këtyre 35 viteve të fundit. Deklaratën e bënë të ditur mediat izraelite. Javën e kaluar, zyrtarët izraelitë njoftuan ndërtimin e 1600 shtëpive të reja në tokat e pushtuara të Jerusalemit Lindor e kjo ndërkohë, që në këtë vend ndodhej për një vizitë zyrtare zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo lëvizje u konsiderua si “fyerje” ndaj liderëve palestinezë dhe amerikanë. Por sipas Kryeministrit të Izraelit, lëvizja nuk do të dëmtojë arabët në këtë zonë të Jerusalemit. Në një fjalim në Parlamentin hebre, Kryeministri Natanjahu tha se ai donte që të zhvilloheshin bisedimet e paqes dhe shpresonte që palestinezët të mos vendosnin ndërkohë parakushte në lidhje me zhvillimin e tyre. “Ndërtimi i shtëpive të tjera në Jerusalemin Lindor nuk i dëmton aspak arabët, apo nuk është diçka që rëndon në kurrizin e tyre”, deklaroi Natanjahu. Ndërkaq, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Ashton, në një turne në Lindjen e Mesme, tha se vendimi i Izraelit e ka vënë në rrezik perspektivën e bisedimeve të paqes me palestinezët.
Fillimisht, qeveria e Izraelit nuk shprehu asgjë për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, por ambasadori hebre në Uashington, Michael Oren, në një deklaratë është shprehur se “kriza aktuale me Shtetet e Bashkuara është shumë serioze dhe se kjo mund të konsiderohet si një periudhë e vështirë në marrëdhëniet mes të dyja vendeve”. Deklarata është botuar të hënën në median hebreje. Sipas ambasadorit, bëhet fjalë për pikën më kritike të marrëdhënieve që nga viti 1975. Në këtë vit, marrëdhëniet u ashpërsuan nga një kërkesë e sekretarit të Shtetit, Singer, ndaj Kryeministrit hebre, Rabin, që të tërhiqte pjesërisht trupat hebreje nga Lartësitë Golan, të Sirisë, ku ato ishin vendosur që të lufta e ditëve e vitit 1967. Sipas ambasadorit, ky qëndrim atij i kishte ardhur nga instancat më larta drejtuese të vendit, ndërkohë që vetë ambasada izraelite në Uashington, nuk i ka komentuar thëniet e ambasadorit. Të dielën, një ndihmës i lartë i Presidentit amerikan Obama tha se plani i Izraelit për të ngritur 1600 shtëpi të tjera hebrenjsh në Jerusalemin Lindor ishte “shkatërrimtar” për sa i përket perspektivës së bisedimeve të paqes. Sipas David Acelrod, lëvizja eklipsoi tërësisht vizitën e rëndësishme të zëvendëspresidentit amerikan në Izrael dhe duke qenë se u bë po atë ditë, përbën edhe një “fyerje” ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak orë para njoftimit, Biden kishte nënvizuar faktin se marrëdhëniet mes të dyja vendeve ishin të ngushta dhe shumë të mira. Natanjahu është përpjekur që ta minimizojë rëndësinë e faktit, duke kërkuar ndjesë për kohën e papërshtatshme të shpalljes së njoftimit dhe duke i thënë se i vinte shumë keq. Megjithatë, ai nuk ka hequr dorë nga vendimi. Në këtë situatë palestinezët po kërcënojnë që të bojkotojnë bisedimet e paqes dhe do ta bëjnë nëse ky projekt nuk do të anulohet.
#