Minatorët, drejt grevës së urisë

Punonjësit e nëntokës, për gati dy orë, kanë qëndruar dje përpara dyerve të Kryeministrisë. Por këtë herë, ndryshe nga protesta e tyre e fundit, koha ishte e bukur, nuk binte shi, dhe aktiviteti nga fillimi deri në fund, ka qenë paqësor, pa konfrontime me forcat e rendit. Ndryshe nga herët e tjera, kjo protestë është zhvilluar e qetë, me më pak pankarta, ndërkohë që minatorët kanë vijuar qetësisht me kërkesat e tyre, në mënyrë të veçantë për të përfituar të gjitha lehtësitë që i sjell vështirësia në punë. Protesta e djeshme nisi paradite dhe përfundoi pas dy orëve.
ProtestaGjatë zhvillimit të protestës, sheshi përpara Kryeministrisë dhe rrugët përreth këtij institucioni kanë mbetur të papërshkueshme nga makinat, deri në fund të saj. Kjo ka sjellë bllokimin e akseve qendrore rrugore, duke rënduar trafikun dhe ecjen normale të automjeteve për disa orë me radhë. Sakaq, minatorët, edhe një herë, kërkuan më shumë vëmendje nga përfaqësuesit e qeverisë, në mënyrë të veçantë nga kreu i Këshillit të Ministrave, Sali Berisha. Protesta e djeshme e organizuar nga punonjësit e nëntokës do të pasohet nga protesta të tjera, të cilat do të përshkallëzohen javët e ardhshme. Sipas minatorëve, në rast se përfaqësuesit e qeverisë nuk do të hyjnë në diskutime e negociata, ata do të jenë të detyruar të futen edhe në grevë urie, ashtu si dy vjet më parë, kur përfaqësuesit e shtetit u kanë premtuar se do të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, për më shumë vëmendje dhe lehtësira për ta dhe familjarët e tyre.
KërkesatPas protestave, grevave të urisë dhe takimeve me përfaqësues të shtetit gjatë këtyre viteve, punonjësve të nëntokës u është premtuar më shumë vëmendje dhe përfitime, të cilat nuk janë zbatuar në realitet, por kanë qenë thjesht në kuadër të negociatave. Rritja e kostos së shërbimeve, çmimit të telefonisë, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit e ka bërë pothuajse të papërballueshme jetesën për minatorët dhe familjarët e tyre.
Ata shpresojnë që qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të plotësojë statusin e minatorit. Në këtë “dokument” përcaktohen qartë dalja në pension, marrja e përfitimit si dhe lehtësitë për minatorët, për shkak të punës së vështirë që ata kanë kryer për vite me radhë dhe kushteve të rrezikshme ku kanë ushtruar profesionin.
Konkretisht, minatorët kërkojnë lehtësira për sa i takon daljes në pension. Vështirësia e tyre në punë ka qenë më e madhe, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën dhe, për këtë shkak, edhe mosha e daljes së tyre në pension duhet të jetë më e hershme sesa punonjësit e profesioneve të tjera.
Po ashtu, përfitimi i tyre në formën monetare, në moshën e daljes në pension duhet të jetë më i lartë, si për pension të plotë pleqërie ashtu edhe për pension minimal, nisur nga kushtet në punë dhe shkalla e vështirësisë. Sipas minatorëve, përfaqësuesit e shtetit duhet të hartojnë politika lehtësuese për punonjësit e nëntokës dhe njëkohësisht të marrin përsipër të plotësojnë premtimet që u është bërë kësaj kategorie gjatë fushatave zgjedhore, në grevat e urisë apo takimet e zhvilluara mes palëve.