Marrëveshja Kosovë-Serbi ndryshon Kushtetutën e Serbisë

Pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Beograd është hapur çështja se a do të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë. Sipas analistëve serbë, raportet e reja me Kosovën nuk janë arsye e vetmja për ndryshimin e Kushtetutës.
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur edhe çështjen se a është hapi i radhës ndryshimi i Kushtetutës, raporton Tanjug.
“Këtë mundësi e ka paralajmëruar edhe Qeveria, por thekson se për një hap të tillë duhet konsensusi i shumicë qeverisëse dhe partive opozitare”, shkruan Tanjug.
Ndryshimin e Kushtetutës mund ta kërkoj, siç transmeton orainfo, Qeveria, presidenti ose së paku 150.000 qytetarë, mirëpo për votim duhen 2/3 e deputetëve.
“A janë pjekur kushtet që pas tetë vjetësh të ndryshihet Kushtetuta e Serbisë? Arritja e marrëveshje me Prishtinën, por edhe adoptimi i ligjeve me Bashkimin Evropian janë vetëm disa nga arsyet për shkak të cilave gjithnjë e më shpesh qeveria po paralajmëron ndryshime të caktuara në Kushtetutë”, thekson Tanjug.
Kryetari i komisionit për çështje Kushtetuese në Kuvendin e Serbisë, Vladimir Cvijan, sqaron se cilat janë zgjidhjet e mundshme për implementimin e marrëveshjes së Brukselit.
“Kushtetuta parasheh edhe dy gjëra, për autonominë e gjerë të Kosovës miratohet ligj i veçantë dhe për të duhet të votoj shumica, si dhe miratimi i ligjit kushtetues për implementimin e Kushtetutës së re”, ka thënë Cvijan. /Indeksonline/