E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja Meta-Berisha, LSI mbledh konventën

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledhë ditën e martë,
Konventën e Kombëtare të Jashtëzakonshme për të diskutuar mbi vendimin e kryetarit të kësaj partie, Ilir Meta, për bashkëqeverisje me Kryeministrin Sali Berisha. Kryetari
i Komitetit Drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar dje se konventa do të konsultojë dhe më pas mandatojë vendimin e kryesisë së LSI-së për bashkëqeverisje. Por ajo ç'ka vihet re, në rast se u referohemi deklaratave të drejtuesve të kësaj partie, është fakti se nuk ekziston një vendim i kryesisë së kësaj partie për bashkëqeverisje me PDnë.

E vetmja mbledhje e kryesisë së LSI-së, ishte ajo e para pak ditëve, ku zyrtarisht u tha se LSIja do të vendoste për koalicion vetëm pas shpalljes së rezultateve zyrtare për Qarkun e Fierit. Pas vendimit të beftë të Ilir Metës për të qeverisur me Kryeministrin Berisha, Sabit Brokaj, Fatos Klosi, Pëllumb Xhufi, deklaruan për gazetën se nuk kishte një vendim kryesie të kësaj partie, për të bashkëqeverisur me Berishën.

Megjithatë, Haxhinasto deklaroi dje në një konferencë për shtyp se, "Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, thërret ditën e martë, datë 7 korrik 2009, Konventën Kombëtare të jashtëzakonshme, për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e Kryesisë së LSI-së për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si dhe për të marrë mandatin për të negociuar për krijimin e qeverisë së re". Pyetjes së zërave kritike brenda LSI-së se, një vendim i tillë nuk ishte marrë nga strukturat e kësaj partie, Haxhinasto u përgjigj:

"Unë ju siguroj se vendimi i LSI-së është marrë në konsultim me strukturat e saj drejtuese si kryesi, por pavarësisht kësaj, në LSI ekzistojnë të gjitha hapësirat demokratike për të shprehur mendime alternative. Mbledhja e Konventës Kombëtare do të krijojë mundësinë për këdo që të japë mendimin e tij alternativ për këtë çështje".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›