Vetëvaret shpërndarësi i picave
Edmond Kabashi, 32 vjeç, u gjet i vetëvarur në shtëpinë e tij të braktisur nga disa fqinjë në lagjen "Ali Demi"
Dyshimet e policisë për ngjarjen e të shtunës në mbrëmje lidhen me borxhet dhe gjendjen jo të mirë psikologjike të tij
TIRANE- Vetëvaret në shtëpinë e tij të braktisur, shpërndarësi i picave të një restoranti të njohur në kryeqytet. Edmond Kabashi, 32 vjeç, babai i dy fëmijëve, është gjetur i vetëvarur mbrëmjen e të shtunës në rrugën "Idriz Dollaku", pranë burgut të sigurisë së ulët 325 në "Ali Demi". Ende nuk dihen motivet e vetëvarjes së Kapllanit, duke qenë e se ai nuk kishte lënë asnjë letër apo të kishte folur me ndonjë të afërm përpara vetësakrifikimit të tij. Pavarësisht kësaj, hetuesit e Policisë së kryeqytetit e lidhin vetëvarjen e Kapllanit, me problemet e tij personale, duke e argumentuar vetëvrasjen si veprim i kryer në gjendje të rëndë depresive.
Kjo gjendje, sipas burimeve të policisë mendohet se mund të jetë shkaktuar nga mungesa e stabilitetit në punë të Kabashit, i cili prej vitesh punonte si pica shpërndarës por herë pas here i kishte ndërruar ambientet e punës. Po kështu burimet pohojnë se dyshohej se Kabashi mund të kishte pasur probleme borxhesh dhe probleme me kumarin, duke luajtur llotari të ndryshme, ku edhe s'kishte pasur shumë sukses me to çka mund të kishte rënduar gjendjen e tij psikologjike. Pavarësisht kësaj sipas burimeve të policisë, që konfirmohet edhe nga fqinjë dhe të njohur të tij, gjendja e tij ekonomike nuk ka qenë e keq, për shkak se një pjesë të truallit ku ndodhej shtëpia e tij e vjetër ishte dhënë për shesh ndërtimi. Në godinën që do të ngrihej ai pritej të përfitonte disa apartamente.
Ndërkaq qeranë e apartamentit ku ai banonte në një shtëpi jo shumë larg e paguante subjekti që kryente ndërtimin e godinës së re. Viktima, banues në një apartament jo shumë larg vendit ku edhe është gjetur nga disa fqinjë, të tij pasditen e të shtunës sipas burimeve të policisë dyshohet ta ketë kryer një veprim të tillë për shkak të gjendjes gjendjes jo të mirë psikologjike pas problemeve. Viktima është gjetur i vetëvarur në një nga dhomat e shtëpisë së tij që pritej të shembej për t'u dhënë për truall ndërtimi.
Policia është njoftuar nga disa banorë të zonës të cilët po e kërkonin pas shqetësimeve të familjes se ai nuk ishte kthyer në shtëpi dhe se nuk dihej ku ishte. Fqinjët e kanë gjetur të vdekur viktimën me një litar që ishte lidhur në një nga trarët e shtëpisë një katëshe që tashmë ishte drejt shkatërrimit, por që qe aq e fortë sa për të kryer një fatkeqësi. Pas hetimeve të kryera, policia ka konfirmuar se ngjarja ishte një vetëvrasje ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës, ku mjekët ligjorë kanë kryer formalitetet e nevojshme ndërsa më pas trupi i është kthyer familjes për t'i bërë nderimet e fundit.