Jalë 2009, plazh mes frikës dhe gërmadhave
Në perlën e Jugut, ku koha ka ngrirë që kur fadromat rrënuan ndërtimet e vendasve në Jalë. Vera e tretë mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara dhe peizazhit mahnitës jonian. Akuzat e vendasve, por edhe frika për të denoncuar represionin shtetëror ndaj pronarëve të ligjshëm, në favor të Zhvillimit të Bregdetit Jugor, pas të cilit ishte dhëndri i Kryeministrit Berisha dhe palë u bë edhe Banka Botërore
Bashkim Andoni të pret me këmbët e para paraditen e së dielës: "Do na bësh një shkrim të mirë për Jalën?"- Do t'ia nisim me historinë". Ka folur shumë këto tre beharët e fundit dhe duket se nuk të ngopur. Jorgo, djali rreth të 30-ave e mbyt entuziazmin e të atit: "Lëre mo, ç'janë këto historira". Por Bashkimi vazhdon të tregojë për sulmin e prillit 2007, kush ishin shtëpitë e shkatërruara dhe çfarë po ndodh me dosjen "Jala". i ka mbetur në mendje rihapja e dosjes pak muaj më parë, pas raportit të inspektimit të Bankës Botërore dhe kronikat te "Zëri i Amerikës". Kur i thua se ishin shumë televizione që dhanë kronikat tronditëse të shkatërrimeve në Jalë, Bashkimi kundërshton: "Po çfarë xhirimesh, policia ua rrëmbeu kasetat atyre kameramanëve dhe nuk dhanë gjë prej gjëje".
26 muaj më pas, në Jalë nuk ka këmbë polici dhe mund të xhirosh sa të të mbajë bateria e të kesh kaseta. Nuk ka nevojë për polici e as për pushtetar. "Polici" ka mbetur në kokën e Bashkimit dhe banorëve të tjerë të rripit bregdetar. Shteti e ka lënë hijen te ai grusht njerëzish që popullon Jalën dhe kur ua mëshoi ndërtesave me kafshime fadromash në prill 2007. Mjaftojnë vetëm 24 orë, që i njëjti Bashkim që kishte bilbilosur për dramën e përjetuar prej prillit 2007, më pas të refuzojë të flasë para kamerës për një shërbim të "Shekulli online". "Nuk është momenti, ndoshta më vonë, të mbarojë edhe kjo puna e gjyqit", - thotë duke perënduar sytë dhe refuzon që të shoqërojë me gjestikulacionin dhe zërin e tij, kafshimet që fadromat e policisë ndërtimore i bënë kompleksit të tij hotelier, në prill 2007. "Kam frikë",- thotë më në fund burri rreth të 60-ave dhe i gjen punë vetes duke mihur rërën përreth lokalit portativ të ngritur me skelet druri dhe të mbuluar me gjethe fieri. Normal, janë zgjedhjet parlamentare dhe ku i dihet! Po sikur të fitojë sërish ai vjehrri i dhëndrit, ku të mbyten pastaj, këta të gjorë, që kanë gjetur mbështetje te Banka Botërore.
***
Nuk ishte e vështirë ta gjeje Bashkimin dhe ndërtesën e tij, simbol i dhunës shtetërore ndaj një fshati që kujtohet nga shqiptarët vetëm në muajt korrik-gusht, kur kacavirren shpatit për t'u fundosur në rërën e mrekullueshme të mbytur nga jodi dhe ujin qelibar të Jonit. "Ja, atje te fieri", - të drejtojnë për te lokali që ka ndërtuar përpara shtëpisë, mbi rërën e bregdetit. Si çdo verë, i njëjti ritual. Në fund të qershorit duhet mbuluar me degëza fieri lokali i shtruar me dërrasa erëmira pishe, që të mbushin mushkëritë. Anash të vihet rrogozi me kallama, të mbushen frigoriferët me lëngje, ujëra dhe akullore, të kontrollohet ekspresi dhe, o burra-shërbim me çmime si në qendër të Tiranës.
"Po ç'plazh o i zi. Ja një muaj e gjysmë, sa për të nxjerrë ndopak mundin e kësaj pune". Bashkimi, kokëthinjur dhe lëkurërreshkur nga dielli i nxehtë i fundqershorit, i jep ndonjë dorë djalit, Jorgos, për të bërë platformat katrore prej betoni, të cilat do të groposen në rërë për të mbajtur disa çadra kashtore, që do jenë plazhi privat para klubit prej fieri. "Punova shumë vite në Greqi dhe u ktheva, ja këtu",-tregon fytyrëdhimbsur kompleksin hotelier. Nga lokali e ndan dy metër rrugë e keqshtruar dekada me parë me asfalt, oborri i përparmë, i ndarë gjysma si lulishte, rrugina përpara dhe ana tjetër vend për të parkuar tre autovetura.
Është një ndërtesë trekatëshe në formë "U"-je, që shikon nga veriu. Fadroma ia ka përsheshur turinjtë. Ka prishur tri kate dhomash në njërën anë dhe mbrapa e ka bërë të pabanueshme dhe gjithçka ka mbetur si atë ditë prilli, kur një shtet u sul mbi ndërtesat e pakta të Jalës. Koha ka ngrirë, nuk preket asgjë me dorë, shkallët e betonta janë në ajër, me skeletin e hekurt të shpërfyturuar, tullat të thërrmuara, lidhjet elektrike si zorrë të prishura, pllakat e pahapura, gjysmë të thyera. "Ky është mundi i gjithë jetës sime", - thotë kryefamiljari. "Prej vitit 1994 e nisa dhe ja u bë. Por nuk na lanë.
Nga 15 dhoma që kisha menduar, vetëm 8 kam në punë". Kjo është vera e tretë për Bashkim Andonin, që ofron dhoma për turizëm mes rrënojave, frikës dhe shpresës se drejtësia do të fitojë një ditë. "Unë këtu jam në tokën time. Nuk po them më shumë, po 300 vite. Këtu kemi gjithçka, varret e të parëve, pronat tona, jetën tonë". Thotë se nuk lëviz më prej Jalës. Si ai dhe shtatë familje të tjera që kanë pronat e tyre dhe në prill 2007 u ndëshkuan me fadroma prej shtetit. "Nuk ishin toka të dhëna me ligjin 7501, por ishin dhe janë pronat tona,"- tregon me kokë ai skeletet e ndërtesave-skelete, që deri në pranverën 2007 ishin shtëpi të reja, të ngritura me mund e djersë.
***
Shteti erdhi këtu me ruspa, për të shkatërruar. Për të ndërtuar as që bëhet fjalë. Nga Vunoi duhen 5 kilometra të mundimshëm për zbritur në Jalë. Duhet kaluar monopati i shkatërruar përmes ullishteve dhe pastaj të varesh kodrës, në një rrugë të ndërtuar që në vitin '40. Nuk mund të këmbehesh me makinë dhe këtij halli të madh në një të tatëpjetë pa mure mbrojtëse, vendasit ia kanë gjetur disi, duke krijuar disa xhepa ku makinat presin njëra-tjetrën. "Rrugën e hapëm ne me mundin dhe djersën tonë në socializëm", - thotë Tatjana, banore e Vunoit. Dhjetëra banorë, pas punës në kooperativë, vinin për punë vullnetare që të hapnin me kazma shtegun e ngushtë që ende sot lidh Jalën me pjesën tjetër të vendit.
Një rrufe e vogël dhe vendi mbetet pa energji, dhe ajo vjen pas disa orësh. Ujë nuk ka. Bashkimi ka ujë të rrjedhshëm në tualetet e dhomave, por e ka sjellë vetë. "E kam hapur një pus atje pas",- tregon ai tokën me pemë dhe të mbjella pas hotelit, që shkon deri rrëzë kodrës. "Mora disa punëtorë nga Librazhdi dhe hapën një pus të thellë mbi 30 metra. Uji që vinte më parë ishte i kripur dhe nuk futej në gojë. Tani kam pusin, vë pompën në punë dhe kam ujë sa të dua". Larg qoftë, të të zërë një krizë shëndeti, vdes aty, sepse, në vendin ku nuk gjen as një palë bateri për aparatin fotografik (duhet të shkojmë në Himarë për t'i blerë), as që bëhet fjalë për ndonjë mjek, apo qendër shëndetësore.
Në fakt, projekti i Bankës Botërore ishte projektuar për shërbime të tilla elementare. "Ishin 38 milionë dollarë, që janë dhënë për rrjetin e ujësjellësit, kanalizimet, rrugën, ndriçimin etj.", - thotë Bashkim Andoni, që tashmë është bërë "palë" me Bankën Botërore në gjyqin që ka ngritur ndaj qeverisë shqiptare. Avokat ka marrë ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe shprehet i vendosur se do t'i shkojë deri në fund nxjerrjes së të drejtës dhe marrjes së dëmshpërblimit. "Kamila ishte këtu, kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë të bankës Botërore", - thotë Andoni për ambasadoren e Bankës Botërore në Tiranë, Camille Naumah.
***
Po pse shteti duhej të njolloste veten me disa ndërtesa në Jalë, kur Shqipëria mbarë është një "ndërtim pa leje"? Piro Andoni është bir Vunoi. Punoi për shumë vite në Tiranë dhe si diplomat i Shqipërisë. Tregon historinë e vet familjare për Jalën dhe magjinë e saj. Historinë e të atit. Shumë dekada më parë ai shkoi te një mjek në Vlorë dhe diagnoza ishte një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Me rekomandimin e miqve, vajti te një jatrua në Korfuz.
E pa doktori grek mirë e mirë dhe pasi shau mjekun vlonjate, i tha se ishte me reumatizëm dhe kurën do ta bënte në plazhin e vendlindjes. Dy vera, me nga 15 ditë, zhytur deri në grykë në guralecët e nxehtë dhe të ngopur me jod të Jalës. Kështu bëri dhe shpëtoi. Sekreti, përqendrimi i jodit në bregdet. Kjo histori është shumë popullore dhe me siguri e ka dëgjuar edhe autori i ngjarjes së shëmtuar të prillit 2007.