E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja PD-PS shtyhet për të premten

31/03/2011  Të djathtët pranojnë pjesërisht propozimet e opozitës

Partitë e mëdha në vend e kanë shtyrë për ditën e premte firmosjen e aktmarrëveshjes së propozuar nga Partia Demokratike, si garanci që mazhoranca i ofron opozitës për zgjedhjet e 8 majit. Kështu, palët i kanë dhënë njëra-tjetrës edhe dy ditë kohë për të parë propozimet dhe dita e nesërme është caktuar si dita kur do të firmoset marrëveshja, me apo pa Partinë Socialiste. Ndryshe nga takimi i së martës, mbledhja e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura, ku palët kanë diskutuar në nivel ekspertësh mbi propozimet e demokratëve. Në draftmarrëveshje mazhoranca u ka kërkuar partive parlamentare që të tregojnë vullnet për zbatimin dhe mosndërhyrje në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të sigurohet ruajtja e integritetit dhe standardeve të procesit zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit. Për më shumë se një orë palët kanë diskutuar rreth disa pikave që Partia Socialiste ka përfshirë në draftmarrëveshje dhe që konsistojnë në 8 kushtet e deklaruara dy ditë më parë nga kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruci. “Në një vlerësim të parë brenda propozimeve që ka sjellë PS-ja ka gjëra racionale që kontribuojnë për ta plotësuar më mirë marrëveshjen dhe për të mbërritur në një dokument që të pranohet nga palët në parametrat e rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it”, - u shpreh pas takimit, përfaqësuesi i LSI-së, Luan Rama. Nga ana tjetër, eksperti i PS-së Damian Gjiknuri theksoi dje se “nisur nga qëllimi për të arritur një marrëveshje për ato pika esenciale ne kemi bërë disa propozime te propozimi i demokratëve për ato pika që ne i cilësojmë esenciale”. Gjithashtu optimist është shprehur dhe përfaqësuesi i demokratëve në tryezën e djeshme Oerd Bylykbashi, i cili në përfundim të takimit theksoi: “Më vjen mirë që Partia Socialiste me sa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga pikat që ne kemi propozuar.” Kjo, sipas Bylykbashit, vërteton se jo vetëm marrëveshja bazohet në mënyrë të përligjur me rekomandimet e OSBE–ODIHR-it dhe në Kodin Zgjedhor, por është plotësisht e zbatueshme me vullnet të mirë politik. “Ka edhe procese që janë në zhvillim e sipër që mund të çojnë, nëse nuk janë të projektuara mirë drejt një destabiliteti kushtetues”, - është shprehur Bylykbashi.

Demokratët

Demokratët kanë deklaruar se në parim nuk janë kundër ndryshimeve në Kod, por se ai nuk mund të pësojë ndryshime një muaj përpara zgjedhjeve dhe se më parë duhet marrë opinioni i OSBE–ODIHR-t dhe Komisionit të Venecies. “Janë të vetmit ata që mund të certifikojnë kualitetin e këtyre ndryshimeve, në mënyrë që të ruhet standardi zgjedhor, standard që ata e kanë vlerësuar tashmë në Kodin zgjedhor”, - u shpreh dje përfaqësuesi i PD-së në tryezën e partive Oerd Bylykbashi.

Socialistët

Socialistët gjatë diskutimeve në këto dy tryeza kanë kërkuar që garancitë ligjore që nevojiten për procesin e 8 majit të miratohen me urgjencë. “Vetëm transparenca postzgjedhore është kërkuar, gjë që nuk ka të bëjë me Kodin Zgjedhor. Gjithçka tjetër ka të bëjë me vullnetin e qeverisë, masat e saj dhe me angazhimin nga palët, duke ushtruar influencën e tyre pozitive dhe në KQZ”, - u shpreh dje Damian Gjiknuri.

Propozimet e PD-së

- Partitë të respektojnë kodin aktual zgjedhor.

- Partitë bien dakord që stabiliteti i legjislacionit zgjedhor është themelor për mbarëvajtjen e procesit në fazën aktuale të përgatitjeve zgjedhore.

- Partitë të përmbushin në kohë dhe me përpikëri çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore.

- Partitë të bëjnë gjithçka që komisionerët e tyre të qëndrojnë në detyrë gjatë periudhës para-gjatë- dhe paszgjedhore.

- Partitë në asnjë rast nuk do të udhëzojnë komisionerët e tyre që të largohen nga detyra me vulën përkatëse apo çdo materiali zgjedhor.

- Partitë të marrin masa dhe të bashkëpunojnë me KQZ-në kundër çdo bllokimi të procesit zgjedhor.

- Partitë angazhohen të garantojnë transparencë të plotë të procesit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›