E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vra vëllain e të dashurës Jetmir Llana në gjyq

31/03/2011  Sokol Allamani u vra nga pakujdesia

TIRANE-Jetmir Llani, shtetasi që u arrestua nga policia për vrasjen e vëllait të së dashurës së tij, pasi ai nuk e lejonte të motrën të largohej me të, është dërguar në gjykatë si i pandehur. Mirëpo përkundër nga ajo që kishte pretenduar policia, gjatë hetimit Prokuroria ka ndryshuar akuzën nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia. Sipas burimeve pranë Prokurorisë, viktima ka tentuar të futet me dhunë në makinën e Jetmir Llanit, mirëpo kur ky i fundit i ka dhënë me shpejtësi BMW X5 Sokol Allamani është shkëputur nga mjeti, duke u rrëzuar për vdekje. Motra e viktimës ka pohuar para hetuesve se vëllai i saj në përpjekje për të ndaluar largimin e saj me të pandehurin Jetmir Llani është kapur fort pas derës së mbrapse të makinës, duke mos e lëshuar atë. Në një moment ai është rrëzuar dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital. Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur më 28 shtator të vitit 2010, ku në rrugën e Elbasanit në kryeqytet ka humbur jetën 26-vjeçari Sokol Allamani. Ky i fundit e kishte paralajmëruar motrën e tij që të mos largohej nga banesa dhe të mos shoqërohej me të pandehurin Jetmir Llani, Mirëpo këtyre fjalëve nuk i është bindur 21-vjeçarja, e cila sapo ka hipur në mjetin e Llanit është pikasur nga vëllai i saj, i cili punonte në lavazhet që ndodhen në rrugën e Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›