Marrëveshja Shqipëri - Itali për TAP në janar, gati projekti për gazsjellësin

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti takon homologun italian, Giulio Terzi
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë vizitës së tij në Bruksel pati një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi. Në qendër të takimit ishte ecuria e deritanishme e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet politike dhe ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë etj.
Ministri Panariti falënderoi Ministrin Terzi për ndihmën e vazhdueshme që Italia ka dhënë dhe vazhdon ti japë Shqipërisë, si në planin dypalësh ashtu edhe kuadrin e proceseve të integrimit europian. Ministri Terzi ka rikonfimuar edhe njëherë angazhimin e Italisë në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, por e vuri theksin te rëndësia që merr plotësimi i të gjitha rekomandimeve të vendosura nga ana e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. “Italia do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrmit ne BE, por është e rëndësishme që vetë klasa politike shqiptare të angazhohet fuqimisht në këtë proces”, u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë.
Në përfundim, të dy ministrat diskutuan lidhur me situatën aktuale në Lindjen e Mesme, ku shprehën shqetësimin mbi përshkallëzimin e tensionit në Rripin e Gazës dhe nënvizuan nevojën e ndërprerjes së dhunës dhe rinisjes së dialogut mes palëve të përfshira në konflikt.
Marrëveshja për TAP-in
Marrëveshja mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) do të nënshkruhet në janar të vitit të ardhshëm. Konfirmimi erdhi nga ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, pas takimit në Bruksel me homologun italian, Giulio Terzi. “Vumë si një sfidë të afërt dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare që do të jetë hapi i radhës që të tre vendet do të ndërmarrin në mënyrë që të maksimalizojnë shanset që projekti TAP të përzgjidhet si projekti fitues në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Siç më infomoi ministri i Jashtëm Terzi, shanset që projekti TAP të jetë fitues janë maksimalizuar”, deklaroi Panariti.
Kreu i diplomacisë shqiptare deklaroi se ky projekt pritet të stimulojë ekonominë shqiptare dhe rrisë interesin e investitorëve të huaj. “Kjo do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike për rajonin e veçanërisht për Shqipërinë, se ju e dini se do të mundësojë gazifikimin e të gjithë vendit, të krijojë dhe një infrastrukturë mbështetëse për rreth vendit ku do të kalojë gazsjellësi që do të thotë, që, firma të huaja do të jenë të interesuara për të investuar më tej në Shqipëri për zhvillimin e kësaj infrastrukture mbështetëse dhe përpos faktit, llogaritet që do të krijohen 2000 vende të reja punë”, deklaroi Panariti.
Ministri Edmond Panariti e njohu homologun e tij italian Giulio Terzi me përpjekjet që po bën pala shqiptare në drejtim të plotësimit e të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor që ka të bëjë me këtë vepër të rëndësishme për vendet e përfshira në të. Të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë e qeverive respektive, për të përfunduar sa më shpejt që të jetë mundur procedurat e nevojshme për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë për gazsjellësin TAP.
Gazsjellësi TAP niset nga Azerbajxhani me një gjatësi prej 800 kilometra. Pjesa e rrjetit që kalon në Shqipëri është 204 kilometra në linjë tokësore dhe 60 kilometra vijë detare.