Çështja “Fieri”, dorëzohet PS
Socialistët tërheqin padinë për gjykimin në themel
“Socialistët heqin dorë nga pretendimet në qarkun e Fierit”. Vangjel Ndreka në një konferencë për shtyp bëri të ditur se kërkesa për të tërhequr padinë e data 12 dhjetor të vitit të kaluar është dorëzuar në gjykatë. Ndreka e argumentoi këtë qëndrim me humbjen e aktualitetit të çështjes dhe vendimet e tjera gjyqësore që janë dhënë për këshillin e qarkut të Fierit.
Vendimin për të hequr dorë nga padia kryesore për Këshillin e Qarkut të Fierit demokratët e kanë përshëndetur.
Artur Shehu mbajtës i funksioneve zyrtare të kryetarit të këshillit të qarkut tha se këtë veprim socialistët duhet ta bënin më herët, përpara kalimit të afatit për votimin e 3 ligjeve si kusht për integrimin e vendit. Sipas Shehut tërheqja e socialistëve konfirmon se PS e përdori fierin si pretekst për të mos votuar ligjet e rëndësishme për integrimin.
Nga pikëpamja juridike padia e tërhequr prej socialistëve ishte me e rëndësishmja dhe themelore për zgjidhjen e debatit të këshillit të qarkut. Kjo padi do të sqaronte përfundimisht nëse Artur Shehu është kryetar i ligjshëm ose jo .
Padia e tërhequr sot nga Vangjel Ndreka kishte si objekt shpalljen e pavlefshmërisë absolute të mbledhjes së dt. 16 nëntor dhe konkretisht të vendimeve 1, 2 , 3, 4, 5, dhe 6 të kësaj mbledhjeje. Pezullimin (si masë sigurie për padinë) e efekteve juridike të dala nga mbledhja e dt 16 nëntor. këtë kërkesë të shprehur në padinë e sipërpërmendur gjykata e Fierit dhe ajo e apelit e ka rrëzuar.
Reagon PS: Të zbatohen vendimet e mëparshme
“Çështja e Fierit në themel është e zgjidhur”. Me këtë argument Partia Socialiste u shfaq para opinionit publik, duke iu kundërpërgjigjur në këtë mënyrë, deklaratës së Kryeministrit Berisha, i cili u shpreh në mbledhjen e qeverisë se PS është tërhequr nga Fieri. “Ne nuk jemi tërhequr nga çështja e Fierit. Kërkuam pavlefshmëri, për shkak se që nga nëntori i kaluar në gjykatë zvarritej çështja, ndërkohë që ajo duhej të gjykohej brenda 30 ditëve. Çështja e Fierit në themel është e zgjidhur. S’mund të tërhiqemi nga qarku i Fierit, ndërsa Berisha ka frikë të ballafaqohet, pasi nuk ka argumente. Ne kërkojmë respektimin e vendimeve të gjykatave, ndërkohë që i bëjmë thirrje Berishës të ulet në tryezë për Fierin”, u shpreh, deputeti i PS-së, Armando Subashi.