Rriten në Maj me 20 për qind pensionet e invalidëve
Ka mbetur vetëm pak kohë deri në çeljen e rritjes reale të pensioneve nga Instituti I Sigurimeve Shoqërore. Vetëm disa javë na ndajnë nga dhënia për të gjitha kategoritë e pensionistëve të cilët nga 1 deri në 15 Maj do të përfitojnë sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave rritjen në masën e pensionit e cila do të variojë nga 8 deri në 20 për qind.
Sipas burimeve nga ISSH, një rritje të konsiderueshme do të kenë edhe kategoritë e pensionistëve invalidë dhe kjo rritje është verifikuar nga grupi i specialistëve si më e madhja krahas pensioneve të minatorëve. Burimet e ISSH-së thanë dje për gazetën SOT se pensionistët të cilët kanë status si invalidë, peraplagjikë, tetraplegjik, të verbër apo edhe invalidët e luftës, apo personat që kanë mbetur të aksidentuar gjatë detyrës do të përfitojnë një rritje të pensionit në masën 20 për qind, rritje e cila konvertohet me shumën në lekë deri në 20 mijë lekë të vjetra. Kështu çdo kategori përkatëse e cituar më sipër do të përfitojë përveç shumës në lekë edhe shtesave të tjera ne pension edhe një shportë mallrash apo një kujdestar që do të paguhet nga organet shtetërore përkatëse për shërbimin që do ti kryejë personit të aksidentuar. Burimet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksuan gjithashtu faktin se pensioni real i një pensionisti invalid do të shkojë deri në shumën 236.500 lekë. Por kjo shumë i përket pensionistëve në qytet ndërsa për pensionistët e aksidentuar të cilët jetojnë në fshat rritja parashikon një pension të plotë deri në 245.600 lekë. Ndërsa kategoria e pensionistëve që janë te verbër parashikon për këtë vit që përveç rritjes në lekë kjo kategori do të përfitojë edhe disa prej mjekimeve bazë ose shërbimet mjekësore bazë falas. Por përfitimet e kësaj kategori sipas rritjes do të variojnë edhe me pagesën e transportit falas apo me zëra të tjerë të cilët do të jepen gratis sipas përfitimeve të shportës së mallrave. Një kategori tjetër përfituese e pensionistëve invalidë janë edhe tetraplegjikët pensioni i të cilëve do të shkojë në masën 125.400. lekë por që do të përfitojnë gjithashtu falas një masë deri në 70 për qind të shportës së mallrave. Ndërsa për kategorinë e paraplegjikëve shuma e pensionit do të shkojë deri në masën 248.900 lekë së bashku me shpërblimet e disa prej përfitimeve të tjera që do të shtohen në pensionin e invaliditetit. Sipas burimeve nga ISSH, këtë vit janë bërë disa ndryshime të vogla përsa i përket dokumentacionit që duhet të paraqesë çdo pensionist në Institutin e Sigurimeve Shoqërore nëse është i aksidentuar dhe ka arritur moshën e pensionit.
Dokumentet
Kush është në prag të pensionit të invaliditetit duhet të plotësojë disa dokumente të caktuara, përpara se të përfitojë pensionin. Sipas rregullores së re të ISSH-së, personat që janë në prag pleqërie duhet të plotësojnë një vit përpara kërkesën për të dalë në pension. Së bashku me formularin, ata duhet të dorëzojnë dhe disa dokumente të tjerë si certifikatat e gjendjes civile: të lindjes, familjare, të martesës, fletë-drejtimi për në KMCAP, epikriza dhe dokumentet mjekësore, sipas diagnozës për të cilën kërkohet pension invaliditeti. Të gjitha këto dokumente së bashku më kërkesën duhet të dorëzohen tek inspektori pritës i Agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore. Më pas do të jetë mjeku i ekspertizës mjekësore, i cili do të kalojë në skanerin e tij të gjithë dokumentet e dorëzuara dhe vendos për bazueshmërinë ligjore dhe shkakun nëse është aksident në punë, sëmundje profesionale apo sëmundje e përgjithshme. Mjeku i ekspertizës pasi bën të gjitha verifikimet, cakton datën e paraqitjes për në KMCAP ose përgatit shkresën zyrtare, nëse personi nuk plotëson kushtet për pension invaliditeti.
Arta AGOLLI