Marrëveshja bërthamore SHBA-Rusi e paprecedent
Rusia dhe SHBA-ja planifikojnë një reduktim “radikal dhe të paprecedent” të arsenaleve të veta bërthamore nga koha e Luftës së Ftohtë, gjë që parashihet të ndodhë me marrëveshjen e re për reduktimin e armatimit, deklaroi sot Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë po bëjnë përpjekje që të gjejnë një zëvendësim për Traktatin për Reduktimin e Armatimit Strategjik (START), e cila është nënshkruar në vitin 1991, por deri me tani kanë dështuar që të arrijnë një marrëveshje.
“Marrëveshja do të nxitë një reduktim radikal dhe të paprecedent të armëve ofensive strategjike”, tha Lavrov.
Më herët, një zyrtar i lartë i ushtrisë ruse theksoi se marrëveshja për armatim mes Rusisë dhe SHBA-së do të nënshkruhet vitin e ardhshëm.
Gjenerali Nikolai Makarov, shef i shtatmadhorisë së forcave ruse, theksoi se ai dëshiron që marrëveshja e re të jetë më korrekte se marrëveshja START.
“Dëshiroj t’iu them sinqerisht se marrëveshja START nuk ka qenë korrekte për Rusinë. Dëshirojmë një marrëveshje të re, e cila është e pranueshme për dy palët dhe e cila merr parasysh qëndrimet e dy palëve”, tha Makarov.