Përdorimi i forcës kundër Iranit mbetet opsion

Forca ushtarake do të kishte efekt të kufizuar në përpjekjet për të ndalur ambiciet e Iranit për të prodhuar armatim bërthamor, mora ajo duhet të mbetet opsion, deklaroi shefi i shtabit të bashkuar të shefave të ushtrisë së SHBA-së, admirali Mike Mullen.
Në vlerësimin e tij vjetor për kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe prioriteteve të saj, Mullen theksoi se Teherani po tregon shenja se po lëshon pe në grindjen për programin e vet bërthamor, për të cilin Perëndimi thekson se ka për qëllim prodhimin e armëve bërthamore, gjë që mohohet nga Teherani.
“Bindja ime mbetet se mjetet politike janë arma më e mirë për vendosjen e sigurisë rajonale dhe se përdorimi i forcës ushtarake do të kishte efekt të kufizuar. Megjithatë, nëse presidenti e kërkon opsionin ushtarak, atëherë ne duhet ta kemi atë të gatshëm”, tha Mullen.
Ai më tutje shtoi se trazirat e brendshme në Iran, kryesia e paparashikueshme e këtij vendi dhe ndihma që po i ofron Teherani terrorizmit, janë arsye për brengë rajonale dhe globale.
Mullen dhe udhëheqësit tjerë ushtarak kanë theksuar se nëse Irani vërtetë është i vendosur që të prodhojë armë bërthamore, atëherë sulmi ushtarak me gjasë nuk do të frenonte në tërësi këto përpjekje.