Zgjedhjet e kryetarëve të PS, Rama udhëzon eliminimin e përçarjes
Kreu i PS u ka kërkuar deputetëve që të tregohen të kujdesshëm, që në procesin e zgjedhjeve të skualifikuarit të mos kthehen kundër
Partia Socialiste ka mbyllur analizën postzgjedhore dhe prej ditësh ka hyrë në fazën finale, atë të zgjedhjes së strukturave, e cila natyrisht do të kulmojë me mbajtjen e kongresit më 5 nëntor. Për të realizuar një proces sa më efektiv, në kuptimin e zgjedhjes së përfaqësuesve më me shumë mbështetje, kreu socialist Edi Rama ka zhvilluar dje takime të veçanta me deputetët e qarqeve të ndryshme, ku pasi ka marrë informacion të hollësishëm për procesin e analizës, ka dhënë dhe udhëzimet përkatëse për vijimin e procesit të zgjedhjes së figurave më përfaqësuese, qoftë në krye të organizatave, ashtu edhe ato të degëve në rang bashkie dhe komune.
Takimet
Rama ka nisur dje në zyrën e tij një sërë takimesh me deputetët e qarqeve të ndryshme, për të diskutuar mbi procesin e zgjedhjeve në parti. Dje ka qenë radha e takimeve me deputetët e qarqeve Fier, Elbasan dhe Tiranë, të cilët në takime të veçanta kanë biseduar me kreun socialist dhe drejtuesit e tjerë organizativë mbi zgjedhjet e brendshme në parti për secilin qark që përfaqësonin. Secili deputetët ka sjellë, përveç rezultateve konkrete të dala nga analiza për zonat që ata mbulojnë në çdo qark, edhe problematikën e dalë në disa njësi të veçanta, ku ekziston rreziku i përçarjes apo i qejfmbetjeve të atyre figurave që për shkak të rezultatit në zgjedhjet e fundit vendore nuk mund të rikandidojnë apo kanë qenë kritikuar gjatë analizave. Në lidhje me këtë shqetësim, mësohet se kreu socialist u ka kërkuar deputetëve që të tregohen të kujdesshëm në procesin e zgjedhjeve, që të eliminohen sa më shumë këto fenomene, në mënyrë që të skualifikuarit të mos kthehen në elementë që mund të dëmtojnë kompaktësinë e partisë në bazë.
Udhëzimi
Rama ka kërkuar nga deputetët që të zbresin në bazë dhe të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve në organizata (zgjedhje të cilat do të vazhdojnë deri më 10 tetor), ashtu edhe procesin e zgjedhjes së kryetarëve të degëve të partisë në rang komune dhe bashkie. Në bazë të statutit, zgjedhjet në këto tre nivele do të zhvillohen: në rastin e organizatës, nga anëtarët e saj; dhe në rastin e komunës dhe baskisë, nga asambletë përkatëse. Për zgjedhjet në bashki dhe komuna, Rama ka kërkuar nga deputetët të bëjnë çmos që të zgjidhen kandidaturat më të mira nga baza dhe më pas të sillen për t’u shqyrtuar në qendër, para se të vendoset për kandidatët që do t’u paraqiten asambleve përkatëse për t’i votuar. Por ndërkohë, një vëmendje e veçantë deputetëve u është kërkuar t’i kushtojnë edhe procesit të zgjedhjes së delegatëve për në kongres, në bazë të parimit një anëtar një votë. Ende për këtë pjesë selia rozë nuk ka caktuar sesi do procedohet, pra nëse votimi do të zhvillohet në një ditë për të gjithë vendin apo në data të ndryshme për secilin rreth. Megjithatë, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet sipas parimit një anëtar një votë për delegatët e kongresit mund të zhvillohet në një datë dhe si më e mundshmja mund të lihet e shtuna ose e diela e tretë e tetorit. Për këtë do të duhet të vendosë komisioni i zgjedhjeve në parti, i cili këto ditë po punon edhe për përcaktimin e bazës zgjedhore.