E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja e PS me aleatët, ja si do ndahet pushteti. Kushtet e bashkëpunimit

TIRANE- Partia Socialiste firmosi dje, marrëveshjen e bashkëpunimit në koalicion me rreth 30 parti. Ndërkohë, në pritje për t'iu bashkuar koalicionit janë edhe parti të tjera. Marrëveshja e bashkëpunimit para dhe paszgjedhor nuk u firmos dje, nga kreu i PSDsë, Skënder Gjinushi, dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo. Me grupin e djeshëm të partive nuk ka firmosur as kreu i Partisë Ligj e Drejtësi, Spartak Ngjela, i cili, i pyetur nga "Gazeta Shqiptare", tha se: "Unë marrëveshjen e kam me Edi Ramën". 

Burimet bëjnë të ditur se edhe dy kryetarët e tjerë, Gjinushi e Milo, kanë kërkuar që të kenë një marrëveshje të veçantë me Ramën dhe PS-në, ndryshe nga ajo që është firmosur nga 30 parti dje. Nuk dihet nëse ata ende po negociojnë për të pasur emrat e tyre në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së, apo për një lloj tjetër mbështetjeje në bazë. Nga ana e tij, Spartak Ngjela u shpreh se: "Unë nuk kam ardhur për të bërë kërkesë për të hyrë në PS. Unë jam me partinë time dhe dal deputet". Nga ana tjetër është duke u përgatitur një marrëveshje e veçantë parimesh mes PS-së dhe LSI-së, e cila pritet të firmoset në ditët në vijim. Në takimin e zhvilluar dje, kreu socialist Rama u ka premtuar aleatëve të vegjël se PS-ja do të ruajë edhe votat e tyre në komisionet zgjedhore. Në takim është njoftuar gjithashtu se ka ende parti të tjera me të cilat po bisedohet. Bisedimet vijojnë ende me PBDNJ-në e Vangjel Dules. PS-ja është në diskutime edhe me Aleancën Kuq e Zi, me Aleancën Popullore ose e njohur ndryshe si Lëvizja Çame, Aleancën për Demokraci e Solidaritet, Lëvizjen për Drejtësi të Shqiptarëve dhe Lëvizjen Demokristiane të Nikollë Lesit. Ndërkaq, nga koalicioni ka ikur Partia për Mbrojtjen e Punëtorëve. Vetëm dy nga partitë me të cilat PS-ja ka firmosur marrëveshjen nuk kanë mundur të regjistrohen dje në KQZ, ajo për Prosperitet Demokratik dhe Partia e Pajtimit Kombëtar. Platforma e bashkëpunimit, e cila është nënshkruar nga kryetarët e partive të vogla, aleatë të PS-së, fikson edhe një lloj ndarjeje të pushtetit në bazë të numrit të votave. "Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota, dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike", thuhet në platformë. "Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror", vijon marrëveshja. Ndërkohë që, kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera. "Objektivi politik i koalicionit është fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, në shërbim të interesave madhore të vendit e të kombit", thuhet në marrëveshje.

KUSHTET E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT TË PARTIVE NË KOALICIONIN E DREJTUAR NGA PS
Në respektim të programit politik, Partia Socialiste e Shqipërisë, si drejtuese e këtij koalicioni garanton:
3.1 Vullnet të plotë për të bashkëpunuar me subjektet politike, shoqatat, sindikatat apo individë që janë të gatshëm të kontribuojnë për rotacionin politik në Shqipëri; 

3.2 Se përfaqësuesit e saj në komisionet zgjedhore dhe të numërimit të votave do të numërojnë dhe ruajnë me korrektësi çdo votë të partive aleate; 

3.3 Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që
përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota, dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike; 

3.4 Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror; 

3.5 Kur një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhjet e 23 qershorit, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve; 

3.6 Partia që ka fituar një mandat me anë të zbatimit të formulës së shpërndarjes së mandateve, përfitimin e saj në lidhje me qeverisjen sipas pikës 3.5 duhet ta diskutojë edhe me partitë e tjera, të cilat kanë plotësuar numrin që u është dashur për të fituar një mandat; 

3.7 Partia Socialiste garanton se do të administrojë e do të angazhojë në qeverisje mbi bazën e vlerave dhe të kontributit, çdo individ që do të afrojnë aleatët,
pavarësisht nga rezultati i arritur në zgjedhje; 

3.8 Partia Socialiste kërkon nga aleatët që të garantojnë mbështetjen për Programin politik dhe reformat që ajo premton të realizojë gjatë qeverisjes; 

3.9 Marrëveshjet e Partisë Socialiste do të jenë bilaterale me secilën parti politike të koalicionit, duke respektuar rolin dhe kontributin e secilit subjekt gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në opozitë.

LISTA E PARTIVE QË FIRMOSËN NË KOALICION ME PS
1. Partia Socialiste
2. Partia Socialiste e Vërtetë 91
3. Partia Socialiste e Moderuar
4. Partia Komuniste Shqiptare
5. Partia e Punës Shqiptare e Reformuar
6. Partia Komuniste Shqiptare 8 Nëntori
7. Partia për Prosperitet Demokratik
8. Partia Aleanca Arbnore Kombëtare
9. Partia për Unitet Kombëtare
10. Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve (vjen sot)
11. Partia e Gjelbër PGJ
12. Partia e Çështjeve Shqiptare
13. Partia G99
14. Partia Ardhmëria Shqiptare
15. Partia për Drejtat e Emigrantëve
16. Partia Rruga e Lirisë
17. Partia kristian Demokrate
18. Partia Reformatore Demokratike
19. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë
20. Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet
21. Partia Socialpunëtore e Shqipërisë
22. Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara
23. Aleanca për Barazi e Drejtësi Evropiane
24. Partia e Punës e Shqipërisë
25. Partia Ambientaliste
26. Partia e Bashkimit Popullor të Pensionistëve shqiptarë
27. Partia e Pajtimit Kombëtar (nuk u regjistrua nga KQZ)
28. Partia Shqiptare Atdheu
29. Partia e Bashkimit Republikan Shqiptar
30. Partia Mendimi i Djathtë Liberal
31. Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim
NË PRITJE PËR MARRËVESHJEN
„¯ Lëvizja Socialiste për Integrim
„¯ Partia Socialdemokrate
„¯ Partia Demokracia Sociale
NË NEGOCIATA PËR KOALICION
„¯ Aleanca Kuq e Zi
„¯ Aleanca Popullore (Lëvizja Çame)
„¯ Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
„¯ Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve
„¯ Lëvizja Demokristiane
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›